LAJME / E Hënë 8 Qershor 2026, 15:03

VIDEO/ Protestat për Zvërnecin, Spaho: konglomeratë ku janë pjesë fondamentalistë të qarqeve antishqiptare

Shqipëria ndodhet përballë një shansi historik për t’u shndërruar në një destinacion të turizmit elitar, thotë ish-deputeti demokrat Edmond Spaho. Në një intervistë për Tema, Spaho thekson gjithashtu se dy projektet madhore të nivelit më të lartë ndërkombëtar, të planifikuara në Zvërnec dhe ishullin e Sazanit, rrezikojnë të mbeten peng i agjendave të errëta.

Spaho i sheh këto kundërshti si një përpjekje të orkestruar nga qarqe me qëllime antishqiptare. Sipas tij, pretendimet për dëmtimin e natyrës dhe mungesën e transparencës shërbejnë thjesht si pretekste për të bllokuar zhvillimin.

“Ata që do të investojnë nuk kanë asnjë interes të dëmtojnë mjedisin. Përkundrazi, interesi i tyre është që turizmi të bashkëjetojë në harmoni me natyrën, pasi për këtë janë të specializuar”, shprehet ai, duke hedhur poshtë shqetësimet e ngritura.

Sa i përket mungesës së transparencës, ish-nënkryetari i Kuvendit zgjedh gjithashtu të jetë i rezervuar në kritikat ndaj qeverisë. Ai argumenton se dhënia e lejes së zhvillimit është pikënisja e gjithë procesit, e cila më pas pasohet nga procedurat e nevojshme studimore, vlerësimet mjedisore dhe seancat dëgjimore me komunitetin lokal e të tjera.

Por, vëmendja e Spahos përqendrohet te natyra e protestave. Duke iu referuar ditëve të para të tubimeve, ku mes protestuesve vihen re jo vetëm ambientalistë, por edhe qytetarë me kundërshti të thella ndaj qeverisjes, ai e përshkruan turmën si një konglomerat.

“Në këto protesta shoh një përzierje rrymash, që nga fondamentalistë të ndryshëm, e deri te marksistë-leninistë”, thekson Spaho, duke ngritur pikëpyetje të forta mbi drejtuesit dhe programin e vërtetë të këtyre lëvizjeve.

Sipas tij, nuk bëhet fjalë për kauza të pastra, por për lëvizje të nxitura nga qarqe të huaja antishqiptare që duan të pengojnë hyrjen e kapitalit perëndimor në vend.

Në këtë linjë, ai lëshon një thirrje të drejtpërdrejtë për ish-kolegët e tij demokratë dhe opozitën në tërësi: të mbështesin fuqimisht investimet amerikane në Zvërnec dhe Sazan.

Spaho kërkon distancim ndaj protestave që sipas tij po e dëmtojnë këtë mundësi zhvillimi, duke i kërkuar opozitës t’i qëndrojë besnike qëndrimeve të saj fillestare në mbështetje të projektit amerikan.

Spaho thotë veç të tjerash se protestat e nisura prej një jave duken edhe si një faktor që po dëmton drejtpërdrejt procesin e integrimit në BE, do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE