
Viktor Bardhi 65 vjeç është personi që mbeti i vrarë mëngjesin e sotëm (3 shtator) në një atentat me armë zjarri në Ndërfushas të Mirditës.
Sipas informacioneve Bardhi u gjet i vrarë në makinë, ndërsa autorët dyshohet se u larguan nga vendi i ngjarjes me një automjet, i cili më pas u gjet i djegur.
Viktor Bardhi ishte vëllai i Martin Bardhit, i cili u vra në vitin 2023 në Rrëshen. Vrasja e Martin Bardhit u pasua nga një seri zhvillimesh të rënda kriminale në zonën e Mirditës dhe u shoqërua me dyshime për konflikte të vjetra dhe hakmarrje.
Pikërisht kjo histori është një prej pistave që pritet të verifikohet nga hetuesit edhe për atentatin e sotëm ndaj Viktor Bardhit. Megjithatë, deri në këto momente, autoritetet nuk kanë konfirmuar zyrtarisht motivin e vrasjes.
Pas atentatit, policia ka nisur një operacion për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Martin Bardhi ka qene person i njohur për drejtësinë shqiptare, pasi ka qene një nga personat që ka tentuar të vrasë Saimir Recin, nipin e Kastriot Reçit, edhe ky i eliminuar më parë.
Shkak i konfliktit mes Enrik Bardhit (djalit të Martin Bardhit) dhe Saimir Reçit ishte bërë parakalimi me makinë në rrugën kryesore të qytetit, që është shoqëruar dhe me të shtëna me arme zjarri.
Saimir Reçi dhe Enrik Bardhi kanë zbritur nga automjetet dhe janë përplasur fizikisht me njëritjetrin në mes të qytetit.
Më pas, Enrik Bardhi ka shkuar në banesë dhe së bashku me të atin, Martin Bardhi kanë marrë një armë zjarri pistoletë dhe kanë qëlluar në drejtim të automjetit me të cilin lëvizte nipi i Kastriot Reçit, pronarit të televizionit lokal në Lezhë, i vrarë me snajper në muajin janar të vitit 2021 në Rrëshen.
