LAJME / E Enjte 3 Shtator 2026, 15:03

E ka për Erjon Braçen?? Edi Rama “shkund” deputetët: Roli juaj do ndryshojë! Kur t’ju thonë legen e hajdut trajtojini me empati, mos iu ktheni shqiptarëve si

Kryeministri Edi Rama ka qenë i prerë këtë të enjte ndaj deputetëve socialistë, duke u kërkuar të përshtaten me “botën e re” dhe të ndryshojnë mënyrën se si e ushtrojnë rolin e tyre politik.

Gjatë prezantimit të nismës së re “Prania Besnike”, përmes së cilës deputetët do të takojnë qytetarët për të dëgjuar nga afër problematikat e tyre, Rama u kërkoi të vetëve të mos shndërrohen në sekserë, zyra punësimi apo rekrutues patronazhistësh.

Ai kritikoi edhe mënyrën se si disa deputetë përdorin rrjetet sociale, duke i kthyer platformat e tyre në hapësira ku publikojnë problematika dhe japin zgjidhje apo “mend”, edhe në raste kur nuk kanë ekspertizën e nevojshme.

“Edhe roli i deputetit duhet të ndryshojë”, tha Rama, duke theksuar se deputeti duhet të jetë ura që përcjell shqetësimet e territorit te institucionet përgjegjëse dhe, më pas, vendimet e shumicës te qytetarët.

Kryeministri u ndal veçanërisht te përdorimi i rrjeteve sociale, duke paralajmëruar se ato nuk duhet të kthehen në “skenën” personale të deputetëve. Sipas tij, në një kohë kur politika përballet me një realitet të ri dixhital, Partia Socialiste duhet të jetë më e pranishme dhe më e artikuluar në këtë hapësirë.

Po ashtu ai u kërkoi deputetëve që të sillen mirë me qytetarët edhe në rast se ata iu drejtohen me termat si “hajdut” apo “legen”. Kjo kërkesë e kreut të qeverisë vjen disa javë pas incidentit që deputeti Erion Braçe pati me një qytetar jashtë ambienteve të Kryesisë.

“Dhe të qenit i paragjykuar nuk duhet të të bëjë agresiv, nuk duhet të të bëjë jo empatik dhe të të bëjë të harrosh sepse je aty. Je aty për të ndërtuar besim, për të dhënë empati dhe me atë që të thotë o legen, o hajdut, ai është në të drejtën e tij sepse ai e ka paragjykimin shumë të fortë, por nëse ai vjen tek ti ti do ta dëgjosh, duhet ti japësh mundësinë që ai të shohë te ty njeriun, dhe është shumë interesant se të gjitha anëtarët e GP të gjithë anëtarët e qeverisë, jo sot por rregullisht, por sot më shumë se më parë janë individualisht njerëz me goxha aftësi të veçanta individuale në gjërat që kanë bërë para se të vinin këtu. Por kur vjen këtu dhe kur përfaqëson një pjesë të shoqërisë jotë gjithën, në një territor psikologjik kaq të ngarkuar me urrejtje, me mllef, duhet të mos mendosh për veten që ti mund të kesh para pasqyrës, por të mendosh siç sheh ti veten, ai të paragjykon fort, dhe nuk luftohet kush jam unë kush je ti duke hyrë në një debat me qytetarin që është pjesë e komunitetin tënd”, tha Rama.

Pjesë nga fjala e kryeministrit:

Edhe roli i deputetit duhet të ndryshojë. Deputeti duhet sjellë dhe të përcjellë. Deputeti është në ligj dhe zakon njeriu më i duhur për të sjellë çdo sinjal të territorit te një institucion që duhet përgjigjur, jo në Instagram dhe pastaj është njeriu i duhur me ligj dhe zakon për të përcjellë vendimin në shumicës në territor me fakte dhe garancitë përkatëse. Deputetët nuk duhet të improvizojnë fakte teknike, nuk duhet të bëjnë Arqile Bodin, ndjesë pastë, mjeku që shëronte kancerin, kur çështja kërkon mjekun të flasë mjeku, deputeti nuk duhet të tregojë se ç’duhet të bëjë kush di kur deputeti nuk e di. Sepse përfaqësimi nuk është një skenë dhe kjo bota e marrë dixhitale që ka krijuar një skenë për këdo dhe

Budallin e lagjes e njihte vetëm lagjja nuk duhet të jetë vendi ku deputetët tanë krijojnë skenën e tyre por duhet të jetë vendi ku skena jonë është e shpërndarë përmes të gjithë deputetëve në përpjekjen për t’i dhënë zë kësaj shumice dhe për t’i dhënë zë kësaj partie në një botë ku zëri ynë mbytet. Nëse PS në hartën fizike të Shqipërisë ka 5500 organizata sepse 5500 janë qendrat e votimit dhe ka një makineri elektorale të aftë që ta pikturojë të gjithë hartën me ngjyrën e vetë, në hartën e botës së pasqyrave PS është si Finiqi ose Konispoli që mos them si Këlcyrë, një pikë e vogël në hartën e madhe. Dhe radhët koncentrikë që përhapen nga qendra e asaj bote në Tiranë janë një vorbull e marrë në cilësnë PS ka një zë të mbytur, këtë duhet të mendojë çdo deputet që përdor atë botë.

Që përdor pasqyrat e asaj bote, dhe çdo anëtar i kësaj partie. Prania Besnike nuk na mat me sa video bëjmë, sepse në Prani Besnike nuk bëjmë video, sepse në Prani Besnike nuk ka kamera. As me sa foto bëjmë, në rastin më të mirë duhet vetëm një foto për t’i treguar se çfarë po bëhet. Prania Besnike nuk jep premtime, nuk jep numrin e telefonit, Prania Besnike është kompjuter që mban shënim, ata që ne vetëm i dëgjojmë dhe për këtë arsye do të duhet miratojmë një modul matje të performancës së deputetit në kushtet e kësaj bote të re, kjo është një botë e re, një botë ku ne jetojmë midis në fakt dy botësh, botës gjithëherëse prej mijëra vjetësh të realitetit fizik dhe botës së pasqyrave dhe po të shikoni bilancin në fund të ditës të orëve të kaluara para pasqyrës suaj do të shikoni se ato orë janë më dominante të ditës suaj dhe problemi më i madh i kësaj shoqërie njerëzore sot është që jo vetëm që ne harxhojmë gjithmonë e më shumë kohë në pasqyra por ne gjithmonë dhe më shumë e perceptojmë këtë realitetin tjetër përmes konteksteve që na krijojnë pasqyrat.