
TIRANË – Patronazhisti ka shtënë në dorë komunikimin konfidencial të deputetëve të shkurtër të të Gjatit, lidhur me menaxhimin mediatik që partia duhet t’i bëjë protestës së stërgjatur të një grupi shqiptarësh dembelë, të cilët e kanë mendjen për t’u shtirur si blogerë në bulevard ndërkohë që hotelet dhe resortet e bregdetit po vuajnë për kamarierë, banakierë, brigadierë, masazhierë, berberë dhe suflerë. Lexojeni si më poshtë vijon:
Taullau Bau – Të dashura shoqe dhe shokë! Me vrull të math revolucionar, ne të rinjtë dhe të rejat e Librazhdit… një sekondë se kjo ishte për grupin tjetër. Hë, e gjeta. Dua t’ju pyes, si ka mundësi që rrjedhin në media mesazhet që na përcolli shefja e zyrës së komunikimit me dynjanë, mbesa e shokut Memet me porosi të të Gjatit? Këtë punë e ka bërë dikush nga ne, dhe do përgjigjet!
Deputetja vlonjate që ishte dy muaj me Ballin – E drejtë shoku Tau Bau! Porositë e çmuara i lexova më parë në portale sesa në vacap. Kjo duhet investigosur, se si i themi ne andej, “O Balo të hëngërt tënja/ e keshe të keqen bërna!”
Mbesa e shokut Memet – Moj ti, do llafosësh tamam këtu, me etikë dhe deontologji progresiste pro-europiane, apo do na këndosh labçe siç këndoje në tendën e Lul Bashës? Se dikur na vije shkopinj në rrota, apo harrove!
Deputetja vlonjate që ishte dy muaj me Ballin – Ça është kjo “moj”? Ti shoqja mbesë na u drejto me respekt këtu, se nuk je në stanet e shokut Memet, por në grupin e deputetëve socialistë. Shkopinjtë e mi nuk bëhen pis me rrotat e tua, mos ki merak…
Bido Arshivisti – Ju lutem shoqe, na shpërndani udhëzimet e udhëheqësit legjendar dhe mos u zini. Ama në qoftë se doni të kapeni për flokësh, kalojeni në video që të bëjmë dhe ne pak sehir, se kështu sikur s’ka lezet. Apo jo shokë?
Taullau Bau – Turp të kesh shoku Bidon! Spektaklet live kemi të drejtë t’i shohim vetëm unë dhe i Gjati. Ti je i ardhur në katundin tonë…
Mbesa e shokut Beqir – Mos u përçani ju lutem, se ndryshe do t’ua çaj gojën. Ne po na zjen koka këtu, ju merreni me cic-mice. Merrni shembull nga unë dhe shoqja Zegjine, që është bërë shënjestër e atyre barktharëve të protestës, veglave të reaksionit më të zi greko-serbo-turko-sorosiano-iraniano-albinist dhe larove të tyre!
Zegjineja – Të nderuar pjesëmarrës! O Gazoooo! Së pari duhet të sqarojmë popullin se protestuesit janë më pak nga sa thonë. I kanë shtuar me kompjutër, me indulgjencë faciale, si i thonë asaj. Sipas kalërimeve të mia – se kam bërë ca llogari – nuk janë më shumë se 3 mijë e 700 mijë e 500 e 85 mijë… Prit pak sa ta gjej…
Mbesa e shokut Memet – Ha pak gjizë moj motër, gjiza të bën esëll. Le të kthehemi tek porositë e Të Gjatit, që është zverdhur i tëri, më raftë pika mua korbës, është bërë një grusht. Nuk e shoh dot ashtu, më vështron në dritë të syrit dhe më thotë, “sa janë mbledhur sot”? Unë i bëj kompresa në uthull dhe e qetësoj…
Mbesa e shokut Beqir – Na moj ti, mbahu! Një Mamicë na iku, një tjetër na erdhi! Na i kurse këto detaje, se kur i bëja unë masazhe Atij, ti luaje të pavarurën nëpër ekrane televizive, oj kjo!
Taullau Bau – Jo kështu se nuk ju ka hije! Ju vini nga familje të nderuara! E shoh se ju janë prishur nervat që kur ndiqnit bandat e diversantëve. Në qoftë partia ka nevojë për masazh, nuk ka pse grindeni. Unë dhe I Gjati do ju thërrasim të dyjave dhe aty rregullohemi…
Bido Arshivisti – Unë e humba fillin. Po flasim për masazh, apo për mesazh? Se po qe për masazh, unë kam një javë që kam këputur mish, ja këtu në shpatull, po nuk ndihem për të mirën e partisë!
Zegjineja – Më falni që ju ndërpres, e gjeta: Pjesëmarrësit në protestë i kanë shtuar përmes kompjutrit, me impotencë parciale, nuk janë më shumë se 900 mijë e 35 mijë e 12 mijë e ca. Pak a shumë.
Taullau Bau – Quhet inteligjencë artificiale, ooo Zegjine! O Dio mio, po durova dhe një muaj në këtë provincë, shpëtova për tërë jetën…
Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike që nuk është kundër përzierjes së mesazheve me masazhet, por ama manipulimet me indulgjencë faciale nuk i duron dot, do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE
