LAJME / E Martë 15 Shtator 2026, 21:09

PENSIONET, qeveria hap “thesin” më 1 janar 2027, rritje dhe bonuse: Kategoritë që do të përfitojnë më shumë dhe më pak!

Pensionistët do të përfitojnë rritje mujore nga 600 deri në 1 mijë e 800 lekë, sipas kategorive dhe nivelit të të ardhurave nga 1 janari 2027.

Nënat me shumë fëmijë apo ata që kanë të ardhura më pak se 40 mijë lekë në muaj do të marrin nga 1 mijë e 800 lekë shtesë çdo muaj.

Rritje me 800 lekë në muaj përfitojnë ata që marrin pension pleqërie të pjesshëm apo që përfitojnë strehim social nën 22 mijë lekë në muaj.
Rritje me 1 mijë lekë në muaj do të përfitojnë pensionistët në fshatra, ish-kooperativistët të cilët marrin më pak se 18 mijë lekë në muaj.

Nga shtesa nuk do të përfitojnë të gjithë. Në fshat kush merr mbi 18 mijë lekë nuk përfiton shtesën. Po ashtu dhe pensionistët në qytet që kanë më shumë se 22 mijë lekë të ardhura nga pensioni.

Të përjashtuar nga rritja janë edhe përfituesit e pensionit familjar që marrin mbi 18 mijë lekë në muaj. Ata që marrin më pak se kjo shumë do të përfitojnë rritje 700 lekë në muaj.

E njëjta vlen edhe për përfituesit e pensionit të invaliditetit që marrin mbi 30 mijë lekë në muaj. Kush merr më pak se kjo shumë përfiton 600 lekë në muaj rritje.

Vetëm 36 për qind e tyre do të marrin 1800 lekë në muaj, pasi pjesa dërrmuese gati 41 për qind do marrin 800 lekë, ndjekur nga 10.3 për qind që do të marrin 1 mijë lekë dhe pjesa tjetër janë në vlerat 600-700 lekë.

“Nga 1 janari 2027 bonusi do të dyfishohet për të gjitha kategoritë e pensionistëve, krahas vijimit të indeksimit të pensioneve. Për këtë mbështetje kemi parashikuar 22.4 miliardë lekë më shumë në buxhetin e vitit të ardhshëm”, tha Delina Ibrahimaj, ministre e Ekonomisë dhe Inovacionit.

Pensioni mesatar në BE vlerësohet në 1443 euro, nga rreth 180 euro në Shqipëri.