
Kryeministri do të mbajë fjalimin në emër të Shqipërisë më 25 shtator, ndërsa më 24 shtator pritet të marrë pjesë në Galanë e Këshillit të Marrëdhënieve Shqiptaro-Amerikane, ku edhe presidenti Trump pritet të dekorohet me "Knight of the Order of Scanderbeg"
Kryeministri Edi Rama do të udhëtojë drejt Shteteve të Bashkuara për të marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në New York, punimet e së cilës do të zhvillohen nga 22 deri më 28 shtator.
Rama, në vend të Begajt, do të mbajë fjalimin
Këtë vit, ndryshe nga zakonisht, radhën për të përfaqësuar Shqipërinë në foltoren e OKB-së nuk e ka presidenti Bajram Begaj, por vetë kreu i qeverisë. Sipas axhendës paraprake, Rama pritet të mbajë fjalimin gjatë paradites së 25 shtatorit, sipas orarit amerikan.
Sipas traditës së konsoliduar të Asamblesë, të gjithë liderët e shteteve pjesëmarrëse do të kenë mundësinë të bëjnë një fotografi zyrtare me presidentin amerikan, Donald Trump.
Gala e Komunitetit Shqiptar në New York
Përveç angazhimeve në OKB, kryeministri Rama është ftuar edhe në Galanë e Komunitetit Shqiptar në New York, që do të zhvillohet më 24 shtator. Këtë mbrëmje të dytë vjetore po e organizon Këshilli i Marrëdhënieve Shqiptaro-Amerikane.
Në krah të Ramës, në listën e të ftuarve figuron edhe kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, si dhe liderë të tjerë nga vendet e Ballkanit Perëndimor. Sipas burimeve, Rama e ka pranuar tashmë ftesën për pjesëmarrje në këtë event.
Dekorimi i pritshëm i Trump
Një nga momentet më të pritura të Galasë do të jetë dekorimi i presidentit amerikan, Donald Trump, me titullin "Knight of the Order of Scanderbeg" — një nga nderimet më të larta shtetërore shqiptare.
Qëllimi i eventit
Sipas organizatorëve, Gala e këtij viti synon të bashkojë liderë politikë, diplomatë dhe përfaqësues të komunitetit shqiptaro-amerikan, me qëllim vlerësimin e kontributit të diasporës dhe forcimin e mëtejshëm të partneritetit strategjik mes Shteteve të Bashkuara dhe kombit shqiptar.
