LAJME / E Mërkurë 16 Shtator 2026, 00:12

Daja i saj qëlloi me drapër ish-vjehrrin, reagon Zegjine Çaushi

Deputetja socialiste sqaron lidhjen farefisnore me Bledar Bakajn, të akuzuar për dhunë dhe përdhunim nga 34-vjeçarja Merita Gremaj, dhe dënon publikisht çdo formë dhune

Pas dëshmisë publike të 34-vjeçares Merita Gremaj, e cila ka treguar përjetimet e saj gjatë 45 ditëve të fundit dhe ka akuzuar Bledar Bakajn për dhunë, përdhunim dhe kërcënime, ka reaguar edhe deputetja socialiste Zegjine Çaushi, duke sqaruar marrëdhënien e saj familjare me të akuzuarin.

Lidhja farefisnore dhe takimi i qershorit

Çaushi ka sqaruar se Bledar Bakaj është vëllai i nënës së saj, pjesë e një familjeje me 11 fëmijë — 9 motra dhe 2 vëllezër. Sipas saj, të gjithë anëtarët e familjes kanë jetën, punën dhe angazhimet e tyre, prandaj nuk mbajnë kontakte të vazhdueshme mes tyre.

Deputetja rrëfen se e ka takuar Bakajn dhe Meritën rastësisht, në fillim të muajit qershor, pas një angazhimi tjetër në të njëjtën zonë. Duke kaluar pranë banesës, ajo ka parë 10-15 të afërm dhe fqinjë në oborr, mes tyre edhe një kushëri që e njihte Meritën si të afërt të fisit.

Sipas dëshmisë së Çaushit, Merita iu prezantua asaj si bashkëjetuesja e Bledarit. Në atë moment, sipas saj, urimet dhe pyetjet për një martesë të mundshme ishin pjesë e bisedës mes të pranishmëve. Deputetja citon një përgjigje të vetë Meritës për kushtet e jetesës me Bledarin, ku përmendej edhe mospëlqimi i babait të saj për lidhjen.

Çaushi thotë se ka qëndruar rreth 10 minuta në atë takim përpara se të largohej për angazhimet e saj, ndërsa disa ditë më vonë ka parë edhe fotografi të çiftit në rrjetet sociale.

"Nuk kam pasur dijeni për situatën"

"Ky është i gjithë informacioni që kam pasur dhe kam në lidhje me marrëdhënien e tyre," thekson deputetja, duke sqaruar se për ngjarjen e fundit është informuar përmes medias, njësoj si pjesa tjetër e opinionit publik.

Dënim i qartë ndaj dhunës

Në pjesën më të fortë të reagimit, Çaushi ka qenë e prerë: "Dënoj me forcë çdo formë DHUNE, pavarësisht se nga KUSH është ushtruar."

 

Deputetja ka kërkuar që rasti të trajtohet me seriozitet dhe kujdes, duke përfshirë edhe këndvështrimin psikologjik për të dy personat e përfshirë, me qëllim parandalimin e çdo përshkallëzimi të mëtejshëm të situatës.

REAGIMI:

Duke iu referuar ngjarjes se ndodhur në fshatin

Suk 2 dhe te publikuar nga mediat me 14.09.2026 dhe 15.09.2026, deshiroj te sqaroj opinionin publik lidhur me informacionet e dhena deri tani. Familja e nënës sime perbëhet nga 11 fëmijë: 9 motra dhe 2 vëllezër. Të gjithë kanë familjet, punët dhe jetët e tyre, ndaj natyrshëm nuk kemi kontakte te vazhdueshme dhe te panderprera me njëri-tjetrin.

Vellain e nenes, Bledar Bakaj, se bashku me znj. Merita Gremaj, e kam takuar rastesisht pas një takimi qe kisha në atë zonë, në fillim te muajit gershor. Kam kaluar pranë banesës dhe kam parë të afërm dhe fainjë, rreth 10-15 veta, në oborrin e banesës. Madje, aty kam takuar edhe një kushëri, të cilin Merita Gremaj e kishte njeriun e afërt nga fisi i të emës.

Sapo kam hyré ne oborr kam pare Meriten, e cila m’u prezantua si bashkejetuesja e Bledarit. I urova padyshim per lidhjen e tyre, pasi atë gjë po benin edhe fginjët që ishin prezent dhe me pas, si une, edhe kushëriri im iu drejtuam: “E keni ndarë mendjen? Do martoheni?”

Merita Gremaj tha : “Po po, i kam marre parasysh kushtet në të cilat Bledari jeton, edhe pse babai s’e ka me qejf…” “Se mos na hapni probleme”, iu drejtova pas fjalëve te saj, referuar pelqimit te babait. Gjeja kaloi me te qeshura dhe urime nga njerezit e pranishem.

Kam ndenjur rreth 10 minuta dhe kam levizur për angazhimet e mia, të tjerët kanë vazhduar të qendronin.

Pas disa ditësh, pashë edhe në rrjetet sociale, fotografi të tyre së bashku, të qeshur dhe me lule në duar.

 

Ky eshtë i gjithe informacioni që kam pasur dhe kam në lidhje me marrëdhënien e tyre.

Për ketë ngjarje jam informuar permes mediave, njësoj si opinioni publik. Dua ta them shumë qartë: dënoj me force çdo formë DHUNE, pavaresisht se nga KUSH është ushtruar.

Ne te njejten kohe, mendoj se ky eshte nje rast qe duhet te trajtohet me seriozitet e kujdes edhe nga këndvështrimi psikologjik, per te dy personat, me qellim gjetjen e zgjidhjes se duhur dhe parandalimin e çdo pershkallëzimi të mëtejshem.