LAJME / E Mërkurë 16 Shtator 2026, 00:12

Dajën e takova rastësisht me Meritën, u thashë ‘se mos na hapni probleme’, ja çfarë thotë Zegjineja për plagosjen me drapër

“Dajën e takova rastësisht me Meritën, u thashë ‘mos na hapni probleme’”, Zegjine Çaushi flet pas plagosjes me drapër në Roskovec

Deputetja socialiste Zegjine Çaushi ka reaguar pas ngjarjes së ndodhur në fshatin Suk të Roskovecit, ku një 67-vjeçar u plagos me drapër dhe një 52-vjeçar u arrestua nga policia.

Në një sqarim publik, Çaushi tregon se Bledar Bakaj është vëllai i nënës së saj dhe se, sipas saj, Merita Gremaj i ishte prezantuar në fillim të qershorit si bashkëjetuesja e tij.

Ajo thotë se takimi kishte qenë krejt rastësor dhe se nuk kishte dijeni për probleme mes çiftit.

“Vëllain e nënës, Bledar Bakaj, së bashku me znj. Merita Gremaj, e kam takuar rastësisht pas një takimi që kisha në atë zonë, në fillim të muajit qershor”, shprehet Çaushi.

Sipas saj, në oborrin e banesës ndodheshin edhe të afërm dhe fqinjë, ndërsa Merita Gremaj iu prezantua si bashkëjetuesja e Bledarit.

Çaushi tregon se gjatë bisedës, ajo dhe një kushëri i kishin pyetur nëse e kishin vendosur të martoheshin.

“Merita Gremaj tha: ‘Po, po, i kam marrë parasysh kushtet në të cilat Bledari jeton, edhe pse babai s’e ka me qejf…’. ‘Se mos na hapni probleme’, iu drejtova pas fjalëve të saj, referuar pëlqimit të babait”, shkruan Çaushi.

Ajo thekson se gjithçka kishte kaluar me të qeshura dhe urime nga personat e pranishëm dhe se kishte qëndruar vetëm rreth 10 minuta.

Më tej, thotë se disa ditë më vonë kishte parë në rrjetet sociale fotografi të çiftit së bashku, “të qeshur dhe me lule në duar”.

“Ky është i gjithë informacioni që kam pasur dhe kam në lidhje me marrëdhënien e tyre. Për këtë ngjarje jam informuar përmes mediave, njësoj si opinioni publik”, shprehet ajo.

Çaushi dënon çdo formë dhune dhe kërkon që rasti të trajtohet me seriozitet edhe nga këndvështrimi psikologjik.

“Dua ta them shumë qartë: dënoj me forcë çdo formë dhune, pavarësisht se nga kush është ushtruar”, shkruan ajo.

Ngjarja ndodhi mbrëmjen e 14 shtatorit, rreth orës 22:30, në fshatin Suk të Roskovecit.

Sipas policisë, B. B., 52 vjeç, dyshohet se gjatë një konflikti me E. G., 67 vjeç, e ka goditur këtë të fundit me drapër në këmbë.

Policia bëri të ditur gjithashtu se 52-vjeçari kishte shkelur urdhrin e mbrojtjes të vendosur në favor të ish-bashkëjetueses së tij, vajza e 67-vjeçarit, duke shkuar në banesën e familjes së saj.

Pas ngjarjes, i dyshuari u kap rreth 30 minuta më vonë pranë banesës së tij në fshatin Mbërsh.

I plagosuri u dërgua në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Deklarata e plotë, Zegjine Çaushi

Duke iu referuar ngjarjes së ndodhur në fshatin Suk 2 dhe të publikuar nga mediat më 14.09.2026 dhe 15.09.2026, dëshiroj të sqaroj opinionin publik lidhur me informacionet e dhëna deri tani.

Familja e nënës sime përbëhet nga 11 fëmijë: 9 motra dhe 2 vëllezër. Të gjithë kanë familjet, punët dhe jetët e tyre, ndaj natyrshëm nuk kemi kontakte të vazhdueshme dhe të pandërprera me njëri-tjetrin.

Vëllain e nënës, Bledar Bakaj, së bashku me znj. Merita Gremaj, e kam takuar rastësisht pas një takimi që kisha në atë zonë, në fillim të muajit qershor. Kam kaluar pranë banesës dhe kam parë të afërm dhe fqinjë, rreth 10-15 veta, në oborrin e banesës. Madje, aty kam takuar edhe një kushëri, të cilin Merita Gremaj e kishte njeriun e afërt nga fisi i të ëmës.

Sapo kam hyrë në oborr kam parë Meritën, e cila m’u prezantua si bashkëjetuesja e Bledarit. I urova padyshim për lidhjen e tyre, pasi atë gjë po bënin edhe fqinjët që ishin prezent dhe më pas, si unë, edhe kushëriri im iu drejtuam: “E keni ndarë mendjen? Do martoheni?”

Merita Gremaj tha : “Po po, i kam marrë parasysh kushtet në të cilat Bledari jeton, edhe pse babai s’e ka me qejf…”

“Se mos na hapni probleme”, iu drejtova pas fjalëve të saj, referuar pëlqimit të babait. Gjëja kaloi me të qeshura dhe urime nga njerëzit e pranishëm. Kam ndenjur rreth 10 minuta dhe kam lëvizur për angazhimet e mia, të tjerët kanë vazhduar të qëndronin. Pas disa ditësh, pashë edhe në rrjetet sociale, fotografi të tyre së bashku, të qeshur dhe me lule në duar.

Ky është i gjithë informacioni që kam pasur dhe kam në lidhje me marrëdhënien e tyre.

Për këtë ngjarje jam informuar përmes mediave, njësoj si opinioni publik.

Dua ta them shumë qartë: dënoj me forcë çdo formë DHUNE, pavarësisht se nga KUSH është ushtruar.

Në të njëjtën kohë, mendoj se ky është një rast që duhet të trajtohet me seriozitet e kujdes edhe nga këndvështrimi psikologjik, për të dy personat, me qëllim gjetjen e zgjidhjes së duhur dhe parandalimin e çdo përshkallëzimi të mëtejshëm.

Për pjesën tjetër, organet ligjzbatuese duhet të bëjnë punën e tyre.