
Ervin Demo merr drejtimin e Ministrisë së Brendshme, Lamallari kalon në Kryeministri
Kryeministri Edi Rama ka njoftuar ndryshime në përbërjen e ekipit qeveritar, duke bërë të ditur se Ervin Demo do të marrë drejtimin e Ministrisë së Brendshme, ndërsa Besfort Lamallari do të largohet nga ky post për t’iu bashkuar ekipit të Kryeministrisë.
Gjatë komunikimit për ndryshimet në qeveri, Rama e përshkroi lëvizjen si një riformatim brenda skuadrës së tij.
“Sot kam vendosur të bëj një lëvizje në skuadrën që është në fushë. Besforti, nga drejtimi i Ministrisë së Brendshme, do të kalojë në stolin tim, me mua dhe ekipin tim në Kryeministri”, deklaroi Rama.
Drejtimin e Ministrisë së Brendshme do ta marrë Ervin Demo, i cili deri tani ka mbajtur detyrën e ministrit për Pushtetin Vendor.
Kryeministri bëri të ditur gjithashtu se në strukturën e Ministrisë së Brendshme do të integrohen edhe çështjet që lidhen me pushtetin vendor.
“Ministri për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, do të mbulojë Punët e Brendshme, ku do të integrojmë edhe çështjet vendore, diçka që nuk është e re për historinë e Kryeministrisë, por që tashmë ka marrë një formë goxha më të plotë”, tha Rama.
Me këtë ndryshim, Ministria e Brendshme pritet të ketë një fushë më të gjerë përgjegjësish, duke përfshirë edhe koordinimin e çështjeve të pushtetit vendor.

Kryeministri Rama njofton ndryshimet në kabinetin qeveritar
Kryeministri Rama bëri të ditur disa ndryshime në kabinetin qeveritar, të miratuara në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave.
Ministri i Punëve të Brendshme Besfort Lamallari, do të largohet nga drejtimi i Ministrisë përkatëse, për t’ju bashkuar ekipit të Kryeministrit në Kryeministri. Ndërsa Pushteti vendor do t’i bashkëngjitet si strukturë, Ministrisë së Punëve të Brendshme nën drejtimin e zotit Ervin Demo.
Në takimin e zhvilluar në zyrën e tij, Kryeministri Rama falënderoi Besfort Lamallarin dhe Ervin Demon për punën në drejtimin e ministrive respektive dhe ju uroi suksese në angazhimin e tyre të ri.
Kryeministri Edi Rama: Siç e diskutuam në mbledhjen e qeverisë, sot kam vendosur të bëjmë një lëvizje në skuadrën që është në fushë dhe Besforti nga drejtimi i Ministrisë së Brendshme do të kalojë në stolin tim, bashkë me mua dhe me ekipin këtu në Kryeministri, ndërkohë që Ervini, ministri deritanishëm i Pushtetit Vendor do të mbulojë Punët e Brendshme, ku do të integrojmë edhe çështjet vendore, diçka që nuk është e re për historikun e ministrisë, por që pasi ka marrë një formë goxha më të plotë duke qenë veç, do të bëhet tani pjesë e strukturës së drejtimeve të punës së ministrisë. Kështu që faleminderit për shërbimin e deritanishëm. Faleminderit paraprakisht edhe për shërbimin e mëtejshëm. Faleminderit për shërbimin e deritanishëm. Faleminderit dhe për shërbimin e mëtejshëm.
