
Tetë vite pas humbjes së gjurmëve të 24-vjeçarit Elvis Troqe, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë e ka shpallur zyrtarisht të zhdukur të riun.
Vendimi është marrë më 15 qershor 2026 dhe është publikuar tashmë në Fletoren Zyrtare.
Në vendimin e gjykatës, nëna e Elvis Troqes, Marsela Troqe, është caktuar kujdestare për administrimin e pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme të djalit të saj.Elvis Troqe humbi kontaktet me familjarët mbrëmjen e 17 korrikut 2018.
Në atë kohë, 24-vjeçari sapo ishte kthyer nga Italia, ku kishte përfunduar një dënim për trafikim të lëndëve narkotike.
Mbrëmjen e zhdukjes, i riu u largua nga banesa duke u thënë familjarëve se kishte një surprizë.
Ai kishte treguar se kishte njohur një vajzë dhe se dëshironte të fejohej me të.
Sipas të dhënave të bëra publike gjatë hetimit, Elvis Troqe është parë në rrugën kryesore, ku e priste një automjet tip “Mercedes-Benz”, ngjyrë gri.
I riu raportohet se ka përshëndetur drejtuesin dhe më pas ka hipur në automjet, ku ndodheshin edhe dy persona të tjerë.Pas këtij momenti, gjurmët e 24-vjeçarit janë humbur.
Rasti ngriti dyshime se bëhej fjalë për më shumë sesa një largim të zakonshëm.
Gjatë hetimit u konstatuan elemente që çuan në dyshimin për veprën penale të rrëmbimit të personit.
Në kuadër të hetimeve janë kryer disa veprime, përfshirë kontrolle në banesën e Inez Hajrullës. Ai ka mohuar se kishte njohje me Elvis Troqen dhe ka thënë se atë pasdite kishte dalë për fizioterapi.
Tetë vite pas zhdukjes, vendimi i gjykatës e shpall zyrtarisht Elvis Troqen të zhdukur, ndërsa familjarët vijojnë të mbeten pa një përgjigje për fatin e 24-vjeçarit.
