LAJME / E Premte 11 Shtator 2026, 11:11

LAJM I FUNDIT/ Ndryshime në qeveri, LARGOHET ministri i bujshëm i Edi Ramës

Pas dorëheqjes të ish-ministres tanimë të Shëndetësisë, Evis Salës, një tjetër ministër ka dhënë dorëheqjen nga kabineti Rama. Bëhet fjalë për Besort Lamallarin, dibranin të cilin një vit më parë Edi Rama e surprizoi duke e emëruar fillimisht si ministër të Drejtësisë, e më pas të Brendshëm.

Burime për mediat bëjnë me dije së fundmi se Lamallari ja ka paraqitur dorëheqjen e tij kreut të qeverisë, ndërkohë që arsyet të cilat e kanë shtyrë drejt këtij vendimi nuk dihen ende.

Një vit më parë ai u emërua në krye të Ministrisë së Drejtësisë, për të kaluar pas disa muajsh më pas në drejtimin e Ministrisë së Brendshme.

Por kush është Besfort Lamallari?

I lindur më 18 korrik 1987 në Peshkopi të Dibrës, Lamallari është një nga emrat me një profil të gjatë në fushën e drejtësisë, sigurisë dhe luftës kundër krimit të organizuar.

Ai ka përfunduar studimet universitare për Drejtësi në Universitetin e Tiranës në vitin 2009. Më pas, vijoi studimet pasuniversitare në Itali, ku u diplomua me një LL.M në “Bashkëpunim Ndërkombëtar kundër Krimit të Organizuar Transnacional”.

Në vitin 2013, Lamallari u diplomua në Universitetin e Oksfordit me një Master Shkencash në Kriminologji dhe Drejtësi Penale.

Karriera e tij profesionale është e lidhur ngushtë me çështjet e sigurisë, krimit të organizuar, radikalizimit dhe terrorizmit. Ai ka shërbyer si studiues dhe konsulent për organizata të rëndësishme ndërkombëtare, përfshirë Këshillin e Evropës, OSBE-në dhe Bashkimin Evropian.

Në tetor të vitit 2017, Lamallari mori detyrën e Zëvendësministrit të Brendshëm, ndërsa më herët kishte shërbyer edhe si Këshilltar i Ministrit të Brendshëm.

Që prej vitit 2020, ai ka përfaqësuar Shqipërinë si negociator përgjegjës për Kapitullin 24, “Drejtësia, Liria dhe Siguria”, në kuadër të negociatave me Bashkimin Evropian.

Gjatë karrierës së tij, Lamallari ka përfaqësuar gjithashtu Shqipërinë në bashkëpunime me institucione dhe organizata ndërkombëtare si UNODC, Europol dhe FRONTEX.

Ai ka qenë pjesë edhe e angazhimeve shtetërore në situata emergjente. Në nëntor të vitit 2019 dhe prill të vitit 2020, shërbeu si delegat i Qeverisë dhe i Komitetit Ndërministror për Emergjencat Civile, përkatësisht në menaxhimin e ekipeve të kërkim-shpëtimit pas tërmetit në Durrës dhe në adresimin e situatës së krijuar nga epidemia e Covid-19 në rajonin e Shkodrës.

Profili i tij akademik plotësohet nga një përvojë e gjerë në kërkimin shkencor. Lamallari ka qenë studiues i pavarur dhe autor i disa studimeve që lidhen me krimin e organizuar, radikalizimin dhe terrorizmin.

Përpara se të merrte drejtimin e Ministrisë së Brendshme, ai u emërua Ministër i Drejtësisë në shtator të vitit 2025, ndërsa në mars të vitit 2026 kaloi në krye të Ministrisë së Punëve të Brendshme.