LAJME / E Diel 13 Shtator 2026, 20:08

"Një herë të vetme duhet të merreni seriozisht me modelin e tregut"/ Nafta po shitet me 229 lekë litri, revoltohet Braçe

Deputeti socialist Erion Braçe ka reaguar për rritjen e çmimit të naftës, duke ngritur pikëpyetje mbi mënyrën se si funksionon tregu i karburanteve dhe strukturën e taksave e tarifave që përfshihen në çmimin final.

Braçe thekson se çmimi i naftës ka arritur në 229 lekë për litër, duke u rritur me 10 lekë që nga dita e djeshme, ndërkohë që vendet fqinje nuk kanë marrë një hap të tillë.

“Nafta 229 lekë, nuk është thjesht një produkt dhe një çmim. Është rritur që dje me 10 lekë! Cent më cent, është 2.48 euro! Fakt është që secili nga vendet kufitare me ne nuk e ka ndryshuar çmimin as dje, as sot: Mali i Zi ka një çmim prej 1.87 euro, Kosova ka një çmim prej 1.76–1.85 euro, Maqedonia ka një çmim prej 1.64 euro.

Po e përsëris, këto janë çmime që nuk janë ndryshuar dje, as sot! Patjetër që do të pyes: Çfarë po ndodh? Për më tepër që Kosova furnizohet nga të njëjtët shitës që na shesin edhe ne”, shprehet Braçe.

Braçe u drejton dy kërkesa aktorëve që monitorojnë tregun, garantojnë konkurrencën dhe përcaktojnë politikën fiskale.

Së pari, ai kërkon që të analizohet modeli i tregut të karburanteve, duke ngritur shqetësimin për përqendrimin e furnizimit dhe aktivitetit tregtar në pak operatorë. Së dyti, deputeti kërkon rishikimin e strukturës së taksave dhe tarifave që përfshihen në çmimin e naftës.

"Dy gjëra dua të them dhe po ia them çdo aktori që monitoron tregun, garanton konkurrencën e lirë dhe bën politikën fiskale:

E para, një herë të vetme duhet të merreni seriozisht me modelin e tregut. Kemi përfunduar të kemi vetëm një furnizues-shitës nga i cili nis çmimi, British Petroleum, i shtrenjtë; kemi përfunduar të kemi vetëm një port; kemi vetëm një marrëveshje, deri tani të panjohur, veçanërisht për të parë se si ndahet përfitimi nga blerjet në avancë dhe risku po prej tyre; kemi dy aktivitete: i pari, i depozitimit dhe shitjes ditore në kompanitë shqiptare, dhe i dyti, anije më anije në det, në territorin shqiptar (përsëri marrëveshje e panjohur dhe ndarja e përfitimeve përsëri e tillë); pra, në të gjithë operacionin tregtar kemi vetëm një-dy operatorë!

E dyta, është momenti për të parë strukturën e taksave dhe tarifave të futura brenda çmimit të naftës, duke filluar nga ato që nuk kanë lidhje me çmimin, por me taksa e tarifa për të cilat shteti ka institucione që paguhen shtrenjtë; duke nisur nga taksa e qarkullimit, për të vijuar me tarifa shërbimesh pa asnjë lidhje me çmimin.

Duhet bërë tani! Duhet të jesh pa sy e mendje për të mos parë e kuptuar që vetëm nga eliminimi i tregtisë dhe kontrabandës me fqinjët, do të fitohet shumë më tepër se sa nga ky çmim", përfundon Braçe.