LAJME / E Diel 13 Shtator 2026, 21:09

Reagim i fortë i gazetarit gjerman para vendimit të Speciales: “Ta barazosh Mlladiqin me Thaçin është gabim”

Gazetari i njohur gjerman i “Frankfurter Allgemeine Zeitung” (FAZ), Michael Martens, ka reaguar para shpalljes së aktgjykimit të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, duke kundërshtuar krahasimet mes tij dhe ish-komandantit të forcave serbe në Bosnje, Ratko Mlladiq.

Në një reagim të publikuar në platformën “X”, Martens ka vlerësuar se një krahasim i tillë është i gabuar në disa nivele, duke theksuar dallimet mes luftës në Kosovë dhe asaj në Bosnje, si dhe përmasat e krimeve të kryera gjatë këtyre konflikteve.

“Ta barazosh Ratko Mlladiqin me Hashim Thaçin, siç duket se disa po përpiqen ta bëjnë tani, është gabim në shumë nivele”, ka shkruar Martens, transmeton Klankosova.tv.

Gazetari gjerman është ndalur veçanërisht te masakra e Srebrenicës, duke theksuar se krimet e kryera nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk mund të krahasohen me përmasat e asaj ngjarjeje.

“Ende është e tmerrshme, por dallimet numerike kanë rëndësi”, ka shkruar ai.

Sipas Martensit, “UÇK-ja nuk ka kryer asgjë që mund të krahasohet në mënyrë të largët me Srebrenicën”. Në këtë kontekst, ai ka kujtuar edhe masakrat e kryera ndaj shqiptarëve në Kosovë, duke veçuar Mejën dhe Korenicën në rajonin e Gjakovës.

Martens ka vënë në dukje edhe dallimet në kronologjinë dhe rrethanat e dy luftërave. Sipas tij, krimet e Mlladiqit janë kryer në kuadër të një lufte të nisur nga pala serbe, ndërsa UÇK-ja ishte shfaqur si forcë kryengritëse në përgjigje të viteve të asaj që ai e përshkruan si “padrejtësi sistematike dhe të mbështetur nga shteti” ndaj shqiptarëve të Kosovës.

Megjithatë, gazetari gjerman ka bërë të qartë se kjo nuk nënkupton mohimin e krimeve të kryera nga pjesëtarë të UÇK-së.

Martens ka ngritur më pas një pyetje që lidhet drejtpërdrejt me procesin gjyqësor ndaj Thaçit dhe ish-krerëve të tjerë të UÇK-së: kush duhet të mbajë përgjegjësi për krimet e kryera, nëse gjykata pranon argumentin e mbrojtjes se nuk ka ekzistuar një zinxhir funksional komandues në UÇK?

“Krimet e luftës të kryera nga UÇK-ja dhe në emër të UÇK-së ndaj serbëve dhe shqiptarëve individualë janë kryer. Edhe avokatët e Thaçit nuk e mohojnë këtë. Kush do të përgjigjet për këto krime?”, ka shkruar Martens.

Në reagimin e tij, gazetari i FAZ-it ka rrëfyer edhe për pjesëmarrjen e tij në një përkujtim për viktimat shqiptare të masakrave të Mejës dhe Korenicës.

Ai ka treguar se kishte pyetur pjesëmarrësit nëse kishin parë ndonjëherë serbë të merrnin pjesë në këto përkujtime. Fillimisht, përgjigjja, sipas tij, ishte negative. Më pas, një prej të pranishmëve kishte përmendur aktivisten e njohur serbe për të drejtat e njeriut, Natasha Kandiq, duke thënë se ajo kishte marrë pjesë edhe në përkujtimin e vitit të kaluar.

Në fund të reagimit, Martens ka kritikuar mungesën e njohjes në Serbi për krimet e kryera ndaj shqiptarëve në Mejë dhe Korenicë të Gjakovës.

Sipas tij, shumë prej atyre që flasin për gjendjen e serbëve në Kosovë “nuk kanë dëgjuar, ose pretendojnë se nuk kanë dëgjuar” për këto krime.

Reagimi i Martens vjen në një moment të ndjeshëm, pak para vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë për çështjen ndaj Hashim Thaçit dhe ish-krerëve të tjerë të UÇK-së. Qëndrimi i tij vendos në fokus përgjegjësinë për krimet e luftës, por njëkohësisht kundërshton barazimin e drejtpërdrejtë mes rasteve të ndryshme dhe përmasave të krimeve të kryera gjatë luftërave në ish-Jugosllavi.