
Një moment i papritur dhe plot ironi ndodhi mbrëmjen e sotme në emisionin Opinion, duke rikthyer në vëmendje një histori të vjetër mes dy figurave të njohura të medias dhe politikës shqiptare.
Botuesi dhe gazetari Filip Çakuli i drejtoi një pyetje direkte ish-kryeministrit Sali Berisha, e cila shkaktoi të qeshura në studio dhe habi te moderatori Blendi Fevziu.
Në mesazhin e lexuar live në studio, Çakuli ngriti një pikëpyetje ironike mbi raportet e Shteteve të Bashkuara me kryeministrin Edi Rama, duke iu referuar akuzave të opozitës ndaj tij dhe kontakteve të familjarëve të Ramës me zyrtarë amerikanë.
Reagimi i Berishës ishte i menjëhershëm. Ai kërkoi dy herë konfirmim për emrin e dërguesit të pyetjes dhe më pas iu përgjigj me ironi:
“Filip, po ç’të shtyn ty të bëhesh avokati i Edi Ramës?! Si mund të më bësh ti mua një pyetje publike për avokatinë e tij?!”
Kjo përgjigje shkaktoi të qeshura në studio, ndërsa Berisha vijoi duke e kthyer pyetjen në drejtim të gazetarit, duke ngritur një nga tezat kryesore të diskursit opozitar mbi heshtjen e administratës amerikane ndaj çështjeve të drogës dhe krimit të organizuar.
Momentin e bëri edhe më domethënës historia e kaluar mes dy personazheve. Në maj të vitit 1995, rreth 30 vite më parë, Filip Çakuli u arrestua nga SHIK-u i asaj kohe, me urdhër të Presidentit të atëhershëm Sali Berisha, për shkak të një karikature të botuar në revistën “Hosteni”. Ai u mbajt 24 orë në qeli, ndërsa organizatat ndërkombëtare reaguan ashpër, duke kërkuar lirimin e tij.
Të nesërmen, Çakuli u la i lirë, por ngjarja mbeti një nga episodet më të debatuara të marrëdhënies mes politikës dhe medias në Shqipëri.
Tre dekada më vonë, dy protagonistët përballen sërish — këtë herë jo në qeli, por në një studio televizive, mes ironisë, batutave dhe një historie që duket se ende nuk është mbyllur,do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE
