LAJME / E Mërkurë 2 Shtator 2026, 22:10

Kush ishte personi që i mori jetën me makinë gazetarit

Ngjarja e rëndë rrugore që përfshiu dy mjete la pas një bilanc tragjik, me një viktimë dhe një person të lënduar.
Gazetari 26-vjeçar, Xhesjon Zogu, është viktima e këtij aksidenti të rëndë, i cili ndodhej në drejtimin e një automjeti tip “Land Rover” (në foto).

Megjithë ndërhyrjen e shpejtë për ta dërguar në Spitalin e Traumës me qëllim marrjen e trajtimit mjekësor të specializuar, gazetari fatkeqësisht nuk arriti të mbijetonte, duke ndërruar jetë përpara se të arrinte në destinacion.

Në po të njëjtën përplasje u lëndua edhe Behar Ruçi, një shtetas nga Korça që drejtonte një makinë tip “Benz”. Aktualisht, ai ndodhet nën kujdesin e mjekëve për trajtimin e nevojshëm shëndetësor.

Sipas informacioneve fillestare, dyshimet orientojnë drejt një parakalimi të pasigurt nga ana e drejtuesit të “Benz”-it, veprim i cili solli përplasjen frontale me “Land Rover”-in.
Një udhëtim i zakonshëm drejt punës është shndërruar në një fatalitet të rëndë mëngjesin e së mërkurës për gazetarin 26-vjeçar Xhesjon Zogu.

I riu, i cili udhëtonte nga fshati Shkretë i Krujës drejt Tiranës, ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti tragjik të ndodhur mbi Urën e Gjolës, në aksin rrugor Vorë-Fushë Krujë.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur pasi një automjet tip “Benz”, i cili udhëtonte nga Rinasi në drejtim të Fushë-Krujës, dyshohet se ka kryer një parakalim të gabuar.

Mjeti është përplasur kokë më kokë me automjetin tip “Land Rover” që drejtohej nga gazetari Xhesjon Zogu, i cili vinte në drejtim të kundërt. Përplasja ka qenë tejet e fortë, duke u shkaktuar dëme të shumta materiale të dyja mjeteve.

Në vendngjarje kanë mbërritur menjëhirë shërbimet e urgjencës, por gazetari 26-vjeçar nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra dhe ka ndërruar jetë rrugës për në spital.

Si pasojë e përplasjes ka mbetur i plagosur edhe shoferi i mjetit tjetër, i cili është dërguar me urgjencë në Spitalin e Traumës në Tiranë, ku ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore. Grupi hetimor po vijon punën për zbardhjen e plotë të shkaqeve të aksidentit.

Humbja e 26-vjeçarit ka tronditur opinionin publik, ndërsa pas figurës së tij fshihej një histori e trishtë familjare. Xhesjon Zogu u rrit jetim, pasi babai i tij u vra 20 vite më parë. I riu jetonte vetëm me nënën e tij që vuan nga një sëmundje e rëndë kancerogjene, ndërsa i vëllai ndodhet i arrestuar.

Pavarësisht këtyre sprovave të mëdha jetësore, Xhesjoni zgjodhi të ecte përpara dhe të ndiqte pasionin e tij për median, ku punoi me përkushtim në disa uebsajte dhe televizione në vend.