LAJME / E Martë 8 Shtator 2026, 04:04

“Gysi dhe kreu i organizatës kanë ngrënë darkë me ish-kancelarin e Austrisë”, Ahmetaj për Ergys Agasin: Ishte njeri normal, por ja çfarë i ndodhi kur takoi Ramën

Një tjetër çështje për të cilën Arben Ahmetaj ka folur në këtë intervistë të pestë të tijën ka qenë edhe biznesmeni Ergys Agasi. Njeriu i cili sipas ish-krahut të djathtë të Ramës, është fuqizuar me “bekimin” e vetë këtij të fundit.

Në një intervistë për gazetarin Çim Peka, Ahmetaj pretendon se SPAK disponon qindra episode që lidhen me aktivitetin dhe kontaktet e biznesmenit. Sipas tij, të dhënat e celularëve kanë evidentuar gjithashtu raste ku Agasi dhe kryeministri Edi Rama kanë qëndruar në të njëjtat ambiente për periudha të konsiderueshme.

Ai ka përmendur gjithashtu takime në rezidencën qeveritare, ku sipas tij Agasi dhe Rama kanë darkuar me ish-kancelarin austriak Sebastian Kurz, duke e paraqitur këtë si një tjetër tregues të nivelit të kontakteve dhe ndikimit që sipas tij ka arritur biznesmeni falë kryeministrit.

“Ergys Agasin e bëri Rama koordinator dhe pastaj e shiti. SPAK ka 460 episode se ku ka qenë Agasi. Celulat e telefonit të Ramës dhe Agasit janë gjetur bashkë, kanë qëndruar së bashku shumë. Gys Agasi ka qenë njeri normal. Çfarë bëri të fuqishëm Gys Agasin? Kreu i organizatës. Emëronte policë, shkarkonte dyshen, e gjithë Kadastra në rresht. Kush e bëri këtë? Kush ia dha këtë? Ore, e dini juve që i klonuari Mirsad, Gysi dhe kreu i organizatës kanë ngrënë dreka, darka në rezidencën qeveritare me ish-kancelarin e Austrisë. Shikoni ku, me Sebastian Kurz, shikoni ku ka arritur kreu i organizatës manipulimi”, tha Ahmetaj ndër të tjera.

Kujtojmë se Ergys Agasi u arrestua pasditen e 26 gushtit në zonën e Plepave në Durrës, pas rreth tetë muajsh në kërkim nga SPAK. Biznesmeni ishte shpallur në kërkim në dhjetor të vitit 2025, në kuadër të hetimeve për procedurat e prokurimit të AKSHI-t.