Çdo mëngjes, faqet e gazetave mbushen me lajme për aksidente rrugore tragjike. Në vitin 2023 aksidentet rrugore morën jetën e mbi 172 000 personave, afërsisht 474 vdekje çdo ditë, ose një çdo tre minuta.
Kjo panoramë vjen nga shteti me numrin më të lartë të popullsisë në botë, India. Ministri i Transportit Rrugor dhe Autostradave, Nitin Gadkari, e përshkroi këtë situatë si alarmante, duke përmendur shifrat tronditëse në një ngjarje mbi sigurinë rrugore në dhjetor. Ndër viktimat ishin 10 000 fëmijë dhe 35 000 këmbësorë. Drejtuesit e motorëve ishin po ashtu ndër më të prekurit. Shpejtësia e tejkaluar u identifikua si shkaku më i zakonshëm, ndërsa mungesa e masave bazike të sigurisë si helmetat dhe rripat e sigurimit sollën mijëra vdekje të tjera.
Shumë aksidente ndodhin për shkak të ngarkesës së tepërt, drejtimit të mjeteve pa patentë, apo drejtimit në anën e gabuar të rrugës. Në vitin 2021, 13% e aksidenteve përfshinin drejtues pa leje. Infrastruktura e dobët rrugore dhe dizajni i gabuar kontribuojnë ndjeshëm në këtë krizë. Auditimet e realizuara nga Qendra për Kërkime në Transport dhe Parandalimin e Lëndimeve (TRIPP) pranë IIT Delhi kanë zbuluar mungesa serioze në barrierat mbrojtëse dhe rrugët e ngritura që përbëjnë rrezik për drejtuesit, sidomos ata të motorëve.
India ka rrjetin e dytë më të madh rrugor në botë dhe rreth 350 milionë automjete të regjistruara. Megjithatë, vetëm një përqindje e vogël e këtyre rrugëve i nënshtrohet standardeve të sigurisë dhe shumë kontrata ndërtimi nuk parashikojnë penalitete për shkelje të këtyre standardeve. Pavarësisht investimeve në zgjerimin e rrugëve, ekspertët paralajmërojnë se rrugët më të gjera nuk do të thonë domosdoshmërish më pak aksidente.