
Një telefon “Iphone 11” që BKH ia sekuestroi Viola Haxhiademit, Sekretares së Përgjithshme të Ministrisë së Energjisë dhe Infrastrukturës, ka qenë shkaku i zbulimit të vilës luksoze në kompleksin “Shkëmbinjtë e Bardhë”, e cila dyshohet se i përket ish-zëvendëskryeministres së vendit, Belinda Balluku.
Nga këqyrja e këtij telefoni në tetor 2024, u zbuluan disa email-e kompromentuese të zyrtares së lartë në MEI, Viola Haxhiademi, dhe vetë Belinda Ballukut.
Sipas dokumenteve të siguruara nga gazetari Elton Qyno, Viola Haxhiademi, me pozicionin e Drejtoreshës së Departamentit Administrativ në “Albcontrol”, komunikon me motrën e saj, Dorela Haxhiademi, të cilën e informon se Belinda Balluku, në atë kohë Drejtoreshë e “Albcontrol”, ka një njësi banimi në kompleksin “Shkëmbinj të Bardhë”.
Nga shqyrtimi i aktit të ekspertimit nr. 203, datë 8 tetor 2024, ku u ekspertua telefoni celular “Iphone 11 Pro”, i sekuestruar Viola Haxhiademit, rezultoi se dokumentet tregojnë se më 13 shkurt 2018, rreth orës 20:27, është dërguar një email nga adresa e email-it [email protected] në adresën e email-it të motrës së saj “ [email protected] ”.
Emaili ka përmbajtjen e mëposhtme:
“...zemër, po të dërgoj fotot e Belës, që ta kuptosh në çfarë faze është shtëpia. Të kam dërguar edhe planin e projektit, që ta shohësh për çfarë bëhet fjalë. Bela ka një F-5, ndërsa ne kemi një F-6. Nëse e sheh foton që bëra më afër vilave, ajo ka vizatuar edhe se ku do të jetë pishina. Më pëlqen shumë. Shumë.”
Vila në pronësi të motrave Haxhiademi rezulton të jetë e regjistruar në emër të nënës së tyre, Eleni Haxhiademi.
Hetimi zbuloi se adresa e email-it “ [email protected] ” është një nga adresat e email-it të shtetases Viola Haxhiademi.
Gjithashtu rezulton se shtetasja Vioala Haxhiademi ka një motër, Dorela Haxhiademi. Komunikimet e mësipërme i referohen dy njësive banesore në kompleksin “Shkëmbinj të Bardhë”, Drimadhes, Gjilek, Dhërmi, të ndërtuara nga kompania “Eurocol”.
Grupi hetimor në SPAK e lidh marrjen e njërës prej vilave ku jeton Belinda Balluku, si një akt korruptiv dhe pastrim parash, me një procedurë favorizimi për dy tendera që u zhvilluan në vitin 2018 në Drejtorinë e Përgjithshme të “Albcontrol”, e cila në atë kohë drejtohej nga Belinda Balluku.
Sipas hetimit të SPAK-ut, qëllimi ishte “Rindërtimi i ndërtesës teknologjike të “AlbControl” për të përmirësuar kushtet”. Me urdhër të Belinda Ballukut në tetor 2014, studioja “Atelier 4” e Altin Premtit u kontraktua për të studiuar projektin e ndërtesës.
SPAK pretendon se gjithçka ishte e paracaktuar sepse 1 muaj më vonë, më 5 nëntor 2014, biznesmeni Fejzi Kodra i dërgoi një SMS një biznesmeni tjetër, Pandeli Carapuli, duke i thënë: “…Atelier 4 dërgoi vlerësimin dhe thotë se po presim konfirmimin tuaj përpara se ta dërgojmë te “AlbControl…”.
Ndërkohë, vetëm 1 ditë pas këtij mesazhi, më 6 nëntor 2016, Pandeli Carapuli i dërgon një mesazh Fejzi Kodrës ku i thotë:
[email protected] ” dhe Fejzi Kodra, ia kthen mesazhin: “Unë ia dërgova atij.
Ndërkohë, më 11 nëntor 2014, në orën 10:57, biznesmeni Fejzi Kodra i dërgon një SMS biznesmenit Pandeli Carapuli me sa vijon:
“…për informacionin tuaj, ende nuk është publikuar asgjë në faqen e internetit të APP-së…”.
Nga ana tjetër, në orën 11:27, Pandeli Carapuli shkruan: “…shiko, kjo e fundit u njoftua. Shkëlqyeshëm…”.
Në orën 11:39, Fejzi Kodra i shkruan Carapul, duke i thënë: “Mbajeni datën e shpallur dje: “Rindërtimi i ndërtesës teknologjike AlbControll.”
Ndërkohë, në orën 11:39, qytetari Pandeli Carapuli i shkruan Kodrës: “...Në rregull, le të fillojmë përgatitjet.”
Nga aktet e administruara në lidhje me procedurën e prokurimit me objekt: “Rikonstruksioni i ndërtesës teknologjike të Albcontrol për përmirësimin e kushteve”, sipas prokurorisë, rezulton se Belinda Balluku, në cilësinë e drejtueses së autoritetit kontraktor, me detyrën e Drejtoreshës së Përgjithshme të “Albcontrol” sh.a., në bashkëpunim me anëtarët e Njësisë së Prokurimit, shtetasit Silvana Piciri, Egmont Ngjela, Viola Haxhiademi, Anila Malaj, si dhe shtetasen Evis Berberi, Kryetare e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, njëkohësisht Shefe e Sektorit të Prokurimit në Albcontrol, kanë vepruar në shkelje të ligjit “Për rregullat e prokurimit publik”.
Belinda Balluku, në cilësinë e drejtueses së autoritetit kontraktor, “Albcontrol” sh.a, me detyrën e Drejtoreshës së Përgjithshme të “Albcontrol” sh.a, në bashkëpunim me anëtarët e Njësisë së Prokurimit, shtetasit Silvana Piciri, Egmont Ngjela dhe Anila Malaj, si dhe kryetaren e komisionit të vlerësimit të ofertave, shtetasen Evis Berberi, me detyrën e Përgjegjëses së Sektorit të Prokurimit në “Albcontrol”, sh.a, kanë paracaktuar dhe krijuar avantazhe dhe privilegje për kompaninë fituese “Eurocol”, duke siguruar indirekt vlerën e përfitimit të parregullt të dhënë nga administratori i kompanisë “Eurocol”, Pandeli Carapuli, e përbërë nga prona, Vila F6, e vendosur në Kompleksin “Shkëmbinj të Bardhë”, Dhërmi.
Fakti që kjo pronë, (Vila F-6), është në posedim të Belinda Ballukut, vërtetohet nga rrethanat e dala gjatë hetimeve, si dhe nga provat e administruara deri në këtë fazë të hetimeve paraprake të procedimit penal nr. 136 të vitit 2025, si më poshtë vijon:
Me kontratën e porosisë nr. 178 datë 22 shkurt 2018, të lidhur midis Eva Kjaer në cilësinë e porositëses dhe shoqërisë “Eurocol” sh.p.k. (e përfaqësuar nga administratori Pandeli Carapuli) në cilësinë e sipërmarrësit, porositet një vilë individuale dykatëshe e tipit Gardenia me nr. G-13.
Çmimi i plotë i vilës G-13 është 125,000 euro (ku ndërtesa vlen 1,200 euro/m², veranda vlen 600 euro/m² dhe toka vlen 100 euro/m²).
Kontrata përcakton që trualli i rrethuar në dispozicion të vilës është jo më pak se 100 m², ku brenda sipërfaqes së truallit vila ka një sipërfaqe prej 88.6 m², vila ka edhe një verandë prej 18.6 m², dhe vendi i parkimit ndodhet brenda sipërfaqes së truallit.
Afati i përfundimit të punimeve është caktuar për marsin e vitit 2018. Ndërkohë, me kontratën e porosisë nr. 107 të datës 24 janar 2019, të lidhur midis Eleni Haxhiademit, në cilësinë e porositësit, dhe kompanisë “Eurocol”, e përfaqësuar në këtë rast nga administratori Pandeli Carapuli në cilësinë e sipërmarrësit, porositet një vilë individuale dykatëshe e tipit “Begonia” me nr. F-6.
Çmimi i plotë i vilës F-6 është 165,000 euro.
Kontrata përcakton që trualli i rrethuar në dispozicion të vilës është jo më pak se 300 m², ku brenda sipërfaqes së truallit vila ka një sipërfaqe prej 103 m², vila ka edhe një verandë prej 34 m², dhe vendi i parkimit ndodhet brenda sipërfaqes së truallit.
Afati i fundit për përfundimin e punimeve është caktuar për shkurt 2019. Hetimi ka rezultuar në kontratën e porosisë nr. 1059 datë 5 dhjetor 2018, të lidhur midis Igli Tare, në cilësinë e porositësit, dhe kompanisë “Eurocol” përfaqësuar nga administratori Pandeli Carapuli, në cilësinë e sipërmarrësit, duke porositur një vilë individuale dykatëshe të tipit Begonia me nr. F-6.
Çmimi i plotë i vilës F-6 është 145,000 euro.
Kontrata përcakton që trualli i rrethuar në dispozicion të vilës është jo më pak se 300 m², ku brenda sipërfaqes së truallit vila ka një sipërfaqe prej 103 m², vila ka edhe një verandë prej 34 m², dhe vendi i parkimit ndodhet brenda sipërfaqes së truallit.
Afati i fundit për përfundimin e punimeve është caktuar për dhjetor 2018. Lidhur me kontratën për porosinë e mëparshme, për vilën F-6, rezulton se vetëm 70,000 euro janë paguar më 17 dhjetor 2018 nga Agron Tare, vëllai i ish-futbollistit Igli Tare. Ndërsa 75,000 eurot e mbetura nuk janë paguar ende.
Sipas dosjes SPAK, Vila F-6 vazhdon të jetë në pronësi të kompanisë “Eurocol” të biznesmenit Pandeli Carapuli. Transferimi i pronës në emër të Igli Tares nuk është përfunduar ende në certifikatën e pronësisë, pasi nuk është bërë likuidimi i shumës prej 75 mijë eurosh.
Gjatë dëshmisë së tij në prokurori, Carapuli deklaroi se kontratën e bëri me Igli Taren, pasi kishte qenë mik me këtë të fundit për një kohë të gjatë. Gjithashtu, atij nuk i interesonte kujt ia jepte shtëpinë, Igli Tares./ Elton Qyno, syritv
