
Vëmendja në Kosovë tashmë është përqendruar te Haga, ku të mërkurën, më 16 shtator, në Dhomat e Specializuara të Kosovës pritet të shpallet aktgjykimi i shkallës së parë në çështjen ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Pas një procesi gjyqësor disavjeçar, vendimi i trupit gjykues po pritet me interesim të madh nga qytetarët në Kosovë, familjarët e të akuzuarve dhe diaspora, ndërsa për zhvillimet në Hagë ka interesim edhe nga institucionet e Kosovës.
Nga Qeveria e Kosovës është konfirmuar se dy përfaqësues të saj pritet të udhëtojnë drejt Hagës për ta përcjellë nga afër seancën ku do të bëhet publik aktgjykimi.
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, si dhe ministri për Punë, Familje dhe Vlera të Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, pritet të jenë të pranishëm në Hagë.
Lajmin për pjesëmarrjen e tyre e ka konfirmuar për RTK-në zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Arlind Manxhuka.
Sipas informacioneve të bëra publike, Konjufca dhe Hoti pritet të jenë të pranishëm në galerinë e Dhomave të Specializuara, prej nga do ta përcjellin shpalljen e aktgjykimit.
Ndërkohë, atmosfera në Hagë ka filluar të ndryshojë që para ditës së vendimit. Atje tashmë kanë mbërritur familjarë të të akuzuarve, si dhe qytetarë nga Kosova dhe pjesëtarë të diasporës.
Një tubim është paralajmëruar të mbahet në Hagë para shpalljes së vendimit, ndërsa qytetarë të tjerë pritet të qëndrojnë atje edhe të mërkurën, kur trupi gjykues do ta bëjë publik aktgjykimin.
Data 16 shtator pritet të jetë një prej ditëve më të rëndësishme të gjithë procesit gjyqësor, pasi pas viteve të procedurave, dëshmive dhe paraqitjes së argumenteve nga Prokuroria dhe ekipet mbrojtëse, do të bëhet i ditur përfundimi i trupit gjykues në shkallën e parë.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi janë deklaruar të pafajshëm ndaj akuzave të ngritura kundër tyre, ndërsa ekipet e tyre mbrojtëse kanë kërkuar aktgjykim lirues.
Vendimi që pritet të shpallet të mërkurën është aktgjykim i shkallës së parë dhe procedurat juridike parashohin mundësinë e ankesës ndaj tij. Për këtë arsye, shpallja e aktgjykimit përbën një moment vendimtar të procesit, por jo domosdoshmërisht përfundimin e të gjitha procedurave gjyqësore.
