LAJME / E Martë 15 Shtator 2026, 02:02

Përplasja me Edi Ramën i solli largimin nga Përputhen! Arjan Konomi zbulon kush është FEMRA misterioze që "drejton" Top CHANNEL

Opinionisti Arjan Konomi ka reaguar sërish lidhur me përplasjen që pati kohë ditë më parë me Edi Ramën, duke deklaruar se pas ngjarjes televizioni i Top Channel e ka pushuar nga puna.

Në një video të publikuar në rrjete sociale, Konomi ka deklaruar se zv. CEO e Top Channel, e njohur si Steliana, e ka telefonuar dhe i ka komunikuar se ishte i pushuar pasi kishte bullizuar një femër, duke iu referuar Linda Ramës,të cilën Konomi e kishte quajtur, nepërkë.

“Steliana, zv. CEO e TCH më mori në tel dhe më tha tekstualisht: ‘Ke bullizuar një femër’, e kishte fjalën për Linda Ramën. E kishte fjalën pse e quajta Linda Ramën si nepërkë. Më tha je imazh i Top Channel, nuk mund të shprehësh bindje politike”, ka deklaruar Konomi, duke shtuar se zv.CEO i kishte thënë se ky vendim kishte ardhur siç deklaron Konomi, se ky i fundit “nuk e mbyllte buçen”.

Kujtojmë se përplasja mes Konomit dhe Ramës ndodhi në Vuno, gjatë muajit gusht, pasi opinionisti kritikoi parkimin e automjeteve të eskortës së kryeministrit.

Sipas Konomit, ai kishte parë më herët banorë dhe turistë që gjobiteshin për parkim dhe, pasi konstatoi makinat e eskortës së Ramës të parkuara në një zonë ku, sipas tij, nuk lejohej parkimi, nisi ta filmonte situatën dhe i kërkoi kryeministrit llogari.

Situata u tensionua dhe Konomi pretendoi se pjesëtarë të eskortës i morën telefonin, ndërsa më pas u shoqërua në Komisariatin e Himarës. Rama reagoi duke publikuar pamjet e incidentit dhe duke akuzuar Konomin se kishte shqetësuar dhe bullizuar bashkëshorten e tij, Linda Ramën.

Nga ana tjetër, Konomi ka vijuar të kundërshtojë versionin e kryeministrit për ngjarjen. Pikërisht pas këtij episodi, Konomi ka pretenduar se marrëdhënia e tij me Top Channel ndryshoi dhe se iu komunikua largimi nga televizioni, duke e lidhur këtë me përplasjen dhe qëndrimet e tij publike.