
Rama është përplasur me një emigrant shqiptar, pasi ky i fundit i është drejtuar duke i thënë të mos kthehej më në Shqipëri, pasi, sipas tij, “boll dëme i kishte bërë vendit”…
Një përplasje është raportuar pasditen e sotme në fluturimin e linjës Tiranë-Napoli, ku mes pasagjerëve ndodhej edhe kryeministri Edi Rama.
Sipas një qytetari, Rama është përplasur me një emigrant shqiptar, pasi ky i fundit i është drejtuar duke i thënë të mos kthehej më në Shqipëri, pasi, sipas tij, “boll dëme i kishte bërë vendit”.
Qytetari pretendon se situata është tensionuar më tej dhe se Rama e ka kapur emigrantin me thonj dhe se i është drejtuar edhe me fjalët: “Të zhduk”.
Sipas të njëjtit version, kryeministri më pas u është drejtuar efektivëve të policisë italiane për shoqërimin e shqiptarit, me pretendimin se ky i fundit i kishte bërë fotografi pa leje.
Ndërkohë, një tjetër video e mbërritur nga një qytetar tjetër e filmuara nga dritarja e avionit, Rama shihet teksa zbret shkallët së bashku me një të ri. Nga nisja e zbritjes dhe deri në fund të shkallëve, kryeministri duket se e mban atë me dorë në pjesën e qafës, ndërsa në pistë ndodhen efektivë të policisë italiane.
Sapo zbresin nga shkallët, i riu përfundon në duart e policëve italianë, të cilët e shoqërojnë drejt një automjeti policie dhe e fusin brenda.
Sipas qytetarit që ka përcjellë videon, i riu e kishte sharë kryeministrin teksa po zbrisnin nga avioni, duke iu drejtuar me një fyerje të rëndë. Sipas tij, pas këtij episodi ka agravuar situata që më pas ka paraprirë shoqërimin e të riut nga policia.
