LAJME / E Diel 6 Shtator 2026, 14:02

“Çunat e Bllokut” në radar, Policia e Tiranes nis hetimet për makinat luksoze dhe burimin e parave

Makinat luksoze që shihen çdo ditë në rrugët e Tiranës, veçanërisht në zonat e frekuentuara nga të ashtuquajturit “çunat e Bllokut”, tashmë janë futur në fokusin e kontrolleve të Policisë së Tiranës.

Nuk bëhet fjalë thjesht për kontrolle rrugore. Strukturat e Policisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Operacionale”, “Shqiponja” dhe Policinë Rrugore, kanë nisur verifikime të thelluara për automjetet luksoze, duke shkuar përtej targës dhe dokumentacionit.

Policia po kontrollon të dhënat identifikuese të mjeteve, pronësinë, historikun e blerjes dhe shitjes, personat që i kanë poseduar ndër vite, por edhe burimin e të ardhurave me të cilat janë blerë këto automjete.

Në fokus janë pikërisht rastet kur një pasuri luksoze nuk përputhet me të ardhurat e deklaruara apo me profilin ekonomik të personit që e posedon. Në këto raste, automjeti mund të kthehet në pikën e nisjes për verifikime të tjera pasurore dhe financiare.

Kjo do të thotë se makinat e shtrenjta, që shpesh përdoren si simbol luksi dhe statusi në Tiranë, mund të kthehen tashmë në një pistë hetimi për origjinën e pasurisë.

Policia njofton se dhjetëra automjete luksoze janë kontrolluar dhe se, pas verifikimeve, materialet procedurale janë referuar në Prokurori për vijimin e hetimeve.

Pra, për “çunat e Bllokut” dhe pronarët e automjeteve luksoze, pyetja nuk është më vetëm se çfarë makine kanë, por nga kanë ardhur paratë për ta blerë atë.

Nëse gjatë hetimeve konstatohet se pasuria nuk justifikohet me të ardhurat e ligjshme, verifikimet mund të shtrihen edhe në pasuri të tjera, llogari financiare, biznese dhe transaksione të personave të lidhur.

Policia e Tiranës paralajmëron se kontrollet do të vijojnë, me fokus pasuritë që dyshohet se mund të kenë origjinë kriminale, trafikimin e automjeteve dhe pastrimin e produkteve të veprimtarisë kriminale.