
Të paktën 22 persona kanë humbur jetën pasi një autobus që transportonte nxënës shkolle doli nga rruga dhe përfundoi në një humnerë rreth 30 metra të thellë në ishullin vullkanik Fogo, në Kepin e Gjelbër, raporton The Sun.
Aksidenti tragjik ndodhi rreth orës 21:00 të së shtunës. Sipas autoriteteve lokale, autobusi po udhëtonte në një rrugë pranë një zone shkëmbore, kur humbi kontrollin dhe doli nga rruga.
Këshilli Bashkiak i Sao Filipe bëri të ditur se autobusi po transportonte nxënës gjatë një ekskursioni mes Cha das Caldeiras dhe Campanas de Cima.
Shumica e personave në autobus ishin nxënës të shkollave të mesme nga Curral Grande dhe Ponta Verde. Fillimisht u raportuan 18 viktima, por bilanci është rritur në 22 të vdekur.
Ekipet e shpëtimit po përballen me vështirësi të mëdha për të zbritur në humnerën shkëmbore dhe për të nxjerrë personat e bllokuar, për shkak të terrenit të vështirë.
19 persona të tjerë janë transportuar me urgjencë në Spitalin Rajonal Sao Francisco de Assis. Katër prej tyre raportohet se ndodhen në gjendje të rëndë.
Numri i të plagosurve ka vënë në vështirësi kapacitetet e spitalit, ku i gjithë stafi mjekësor është angazhuar në trajtimin e të mbijetuarve, së bashku me një mjek privat të thirrur për të ndihmuar ekipet.
Sipas ministrit të Arsimit të Sao Filipe, José Pedro Gonçalves, ekskursioni ishte organizuar nga drejtuesi i autobusit, i cili gjithashtu humbi jetën në aksident.
Autoritetet kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet e aksidentit tragjik, ndërsa ekipet e emergjencës vijojnë operacionet në zonë.
