
Deputetja e Partisë Socialiste, Iris Luarasi, ka reaguar pas lajmeve të publikuara mëngjesin e sotëm lidhur me shoqërimin në polici të aktivistes Arvina Lleshi, e cila një ditë më parë ishte mes protestuesve që u përplasën verbalisht me deputeten.
Luarasi ka hedhur poshtë pretendimet se ka kallëzuar në polici personat që e sulmuan një ditë më parë, duke sqaruar se nuk ka ndërmarrë asnjë hap ligjor ndaj tyre, përfshirë edhe aktivisten Lleshi.
Sipas ligjvënëses socialiste, shoqërimi i Lleshit në komisariat nuk ka lidhje me përplasjen me të, por me një tjetër incident të ndodhur gjatë protestës, që lidhet me deputeten Ilva Gjuzi, automjeti i së cilës u bllokua dhe u qëllua me vezë e domate nga një grup protestuesish.“FAKE NEWS DHE MANIPULIM I SHËMTUAR”, shkruan Luarasi, duke i cilësuar lajmet që e lidhin atë me shoqërimin e aktivistes si manipulim.
Ajo ka kritikuar gjithashtu përdorimin e imazhit të saj në materiale që, sipas saj synojnë ta paraqesin situatën në mënyrë të deformuar, duke e konsideruar këtë praktikë si një formë poshtërimi publik dhe dhune digjitale ndaj një gruaje.“FAKE NEWS DHE MANIPULIM I SHËMTUAR. Protestuesja është shoqëruar në komisariat lidhur me sulmin ndaj automjetit privat të deputetes Ilva Gjuzi dhe dëmtimin e pasqyrës së tij dhe s’ka lidhje fare me mua.
Deri më tani nuk kam ndërmarrë asnjë hap ligjor ndaj personave që më denigruan dje. Ata që përdorin manipulimin dhe lajmet e rreme nuk i shërbejnë protestës: e bëjnë pis atë.
Përdorimi i fytyrës sime mbi trupin e një gruaje tjetër është poshtërim publik dhe dhunë digjitale ndaj një gruaje. Kur kësaj i shtohet edhe një lajm i rremë, nuk kemi më as informim, as satirë dhe as gazetari. Gazetaria kërkon të vërtetën, kurse qelbësirllëku ushqehet me gënjeshtrën. Mos i ngatërroni. Dhe qelbësirllëku nuk quhet gazetari”, reagimi i Luarasit.
