
Gazetari Berat Buzhala ka bërë një deklaratë të ashpër dhe kritike ndaj kryeministrit Albin Kurti, duke ngritur akuza të forta për mënyrën se si, sipas tij, është qeverisur Kosova gjatë viteve të fundit.
Buzhala ka deklaruar se beson se një ditë Albin Kurti mund të përballet me drejtësinë.
“Një ditë ka me u arrestu Albin Kurti nga një prokuror trim i Republikës së Kosovës”, ka shkruar Buzhala.
Ai ka bërë edhe një krahasim të fortë mes Kurtit dhe Fatmir Shehollit, duke pretenduar se me kalimin e kohës mund të ketë një vlerësim ndryshe për rolin e tyre.
“Një ditë do ta kuptojmë që as Fatmir Sheholli nuk i ka shërby Serbisë më shumë se Albin Kurti”, ka deklaruar ai.
Buzhala e ka akuzuar Kurtin dhe bashkëpunëtorët e tij se, sipas tij, kanë dëmtuar institucionet e Kosovës dhe kanë krijuar përçarje brenda dhe jashtë vendit.
“Kurti me bandën e tij e kanë shkatërru Kosovën institucionalisht dhe emocionalisht”, ka shkruar Buzhala.
Në reagimin e tij, gazetari ka ngritur edhe pyetjen se çfarë do të kishte bërë Serbia ndryshe po të kishte pasur mundësinë ta linte Kosovën pa institucione dhe të përçarë.
Ai ka kritikuar gjithashtu situatën në energjetikë, infrastrukturë, arsim dhe shëndetësi, duke pretenduar se gjatë kësaj periudhe janë bërë dëme dhe se në sektorin e energjisë dhe fusha të tjera janë humbur qindra miliona euro.
Në fund, Buzhala ka përdorur një ton ironik duke iu referuar edhe Liqenit të Ujmanit:
“Me rëndësi mundemi me u la në Ujman.”
Deklaratat e Buzhalës janë akuza dhe qëndrime politike të tij dhe jo konstatime të një institucioni gjyqësor.
