
Pikat e kalimit kufitar në Shqipëri do të funksionojnë me një sistem të ri sinjalizimi dhe orientimi për udhëtarët. Këshilli i Ministrave ka miratuar një vendim të ri që përcakton standardet e shenjave dhe simboleve që do të përdoren në të gjitha pikat kufitare në vend, në zbatim të kuadrit të ri ligjor për kontrollin e kufirit shtetëror.
Qëllimi i këtij ndryshimi është krijimi i një sistemi të unifikuar informacioni, i cili synon të lehtësojë lëvizjen e qytetarëve dhe të rrisë qartësinë e procedurave për hyrjen dhe daljen nga territori shqiptar. Tabelat orientuese do të jenë në shqip dhe anglisht, duke i bërë ato më të arritshme për udhëtarët e huaj.
Sipas vendimit, zonat ku kryhen kontrollet kufitare do të identifikohen me sinjalistikë të posaçme në aeroporte, porte dhe në akset rrugore që të çojnë në pikat kufitare tokësore. Përveç kësaj, çdo pikë kalimi do të jetë e pajisur me tabela standarde identifikimi, ndërsa aty ku operacionet kryhen me orare të kufizuara, do të shfaqet edhe orari zyrtar i shërbimit.
Organizimi i korsive të kalimit është gjithashtu i ri. Autoritetet parashikojnë ndarje të dedikuara për kategori të ndryshme udhëtarësh, varësisht nga statusi i tyre dhe procedurat e kontrollit që duhet të ndjekin. Në këtë mënyrë, qëllimi është të menaxhohet fluksi në mënyrë më efikase, veçanërisht gjatë periudhave me ngarkesë të lartë trafiku.
Zonat e tranzitit do të identifikohen qartë edhe në portet detare dhe aeroportet ndërkombëtare, ndërsa hyrja dhe dalja nga territori i Republikës së Shqipërisë do të shënohen nëpërmjet tabelave standarde të unifikuara.
Vendimi parashikon gjithashtu mundësinë e krijimit të korsive të ndara për automjete të ndryshme, duke përfshirë makina, autobusë dhe automjete mallrash, në përputhje me nevojat operacionale të secilës pikë kalimi kufitar.
Me hyrjen në fuqi të këtij akti, vendimi i mëparshëm i vitit 2016 shfuqizohet, duke i hapur rrugën një modeli të ri të administrimit të sinjalistikës kufitare. Operatorët e aeroportit, autoritetet portuale, Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe institucionet shtetërore përgjegjëse do të angazhohen në zbatimin e standardeve të reja.
Autoritetet vlerësojnë se ndryshimet do të kontribuojnë në rritjen e sigurisë, përmirësimin e orientimit të udhëtarëve dhe harmonizimin e praktikave shqiptare me standardet bashkëkohore të menaxhimit të kufijve./scan.al, do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE
