LAJME / E Hënë 14 Shtator 2026, 17:05

E dhimbshme! 44 vjeçarja që u vra nga burri i saj la pas tre fëmijë

Një tjetër ngjarje e rëndë që përfshin një familje shqiptare është regjistruar në Greqi, vetëm tre ditë pas vrasjes së një 45-vjeçareje në Nea Smyrni të Athinës. Sipas mediave greke një 53-vjeçar shqiptar i ka marrë jetën bashkëshortes së tij, duke e goditur me thikë.

Ngjarja ka ndodhur në zonën e Rodopit, brenda banesës ku familja jetonte. Viktima dhe autori i ngjarjes së fundit janë identifikuar si Esma dhe Bujar Meco, çift nga Gramshi, prindër të tre fëmijëve.

44-vjeçarja ka marrë plagë të rënda dhe është transportuar me urgjencë në spital, por nuk ka mundur t’u mbijetojë dëmtimeve dhe ka ndërruar jetë. Pas sulmit, 53-vjeçari dyshohet se ka tentuar t’i japë fund jetës duke pirë benzinë. Ai është gjetur nga autoritetet dhe është dërguar në spital, ku po merr trajtim mjekësor.

Alarmi për ngjarjen është dhënë nga një prej fëmijëve të çiftit, i cili ka telefonuar policinë pasi krimi kishte ndodhur brenda banesës. Çifti kishte tre fëmijë, dy prej të cilëve tashmë të rritur, ndërsa njëri është 16 vjeç.

Në vendngjarje, policia greke ka sekuestruar dy thika, të cilat pritet t’i nënshtrohen ekzaminimeve kriminalistike në kuadër të hetimit për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Sipas të dhënave të bëra publike deri tani, çifti kishte pasur probleme edhe më herët. Në fillim të vitit 2022, në Heraklion të Kretës, Esma Meco kishte bërë kallëzim ndaj bashkëshortit të saj për kërcënim dhe në atë kohë, Bujar Meco ishte arrestuar për dhunë në familje.

Megjithatë, rrethanat e sakta të konfliktit që përfundoi në tragjedi mbeten ende për t’u zbardhur. Autoritetet greke po hetojnë dinamikën e ngjarjes dhe motivin që çoi në sulmin fatal ndaj 44-vjeçares.

Ngjarja vjen vetëm tre ditë pas një tjetër krimi të rëndë në Nea Smyrni të Athinës, ku 48-vjeçari shqiptar Altin Allmuça vrau me armë zjarri partneren e tij 45-vjeçare, Julieta Obzova, dhe më pas i dha fund jetës. Trupat e tyre u gjetën në hyrje të pallatit ku banonte viktima, në rrugën “Grigoriou Kydonion”, ndërsa 45-vjeçarja jetonte aty së bashku me vajzën e saj 16-vjeçare.