LAJME / E Hënë 14 Shtator 2026, 17:05

Marjana Koçeku trondit pas largimit nga PS: “Kam pasur oferta nga subjekte politike” – ja çfarë zbulon

Deputetja e pavarur, Marjana Koçeku deklaroi se nuk ka komunikuar me asnjë figurë të Partisë Socialiste pas largimit nga Grupi Parlamentar.

Në intervistën për News24, ajo u pyet nëse ka komunikuar me kryeministrin Edi Rama pasi doli si deputete e pavarur.

“Asnjë komunikim me asnjë figurë të PS që nga largimi nga grupi parlamentar”, tha ajo ndërsa më pas bëri me dije se ka marrë oferta nga subjekte të tjera, por nuk dha detaje nëse ishin parti të reja apo vjetra.


“Kam pasur oferta politike nga subjekte të ndryshme, por qëndroj e sigurt se do ta vazhdoj këtë rrugëtim deri në fund të këtij tre vjeçari si deputete e pavarur. I shërbej më shumë kauzave të qytetarëve dhe rolit si deputete”, shtoi ajo.

E pyetur nëse do të krijojë një parti të re politike, ajo theksoi se programi me të cilin po punon nuk ka të bëjë me krijimin e një subjekti të ri.

“Ajo që kam qenë duke punuar dhe po punoj për ta finalizuar sa më parë është një platformë politike që i duhen vendit dhe përkojnë me filozofinë tënde si përfaqësuese, lidhet me mirëqenien, mjedisin dhe hapësirat që e rrethojnë.

Frymëzohet dhe mbështetët edhe në kërkesat dhe qëllimet që kemi për t’u anëtarësuar sa më parë në BE. Po flas për një platformë politike, që nuk ka të bëjë me një parti politike”, u shpreh Koçeku.