
Autoritetet shtetërore kane nisur kontrollet në terren ndaj agjencive funerale, pas ankesave të qytetarëve për mënyrën e reklamimit dhe ekspozimit të arkivoleve në zonat e banuara.
Prej afro një viti, Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit ka marrë ankesa nga banorë që jetojnë pranë këtyre subjekteve. Reklamat në fasada, objektet e ekspozuara në ambientet e jashtme, si edhe automjetet e parkuara pranë agjencive, kanë krijuar shqetësim në përditshmërinë e komunitetit.
Pas përfundimit të afatit 6-mujor që u ishte lënë subjekteve për të përshtatur aktivitetin me kërkesat e Bashkisë, inspektorët e Agjencisë së Mbrojtjes së Konsumatorit dhe të Policisë Bashkiake zhvilluan kontrolle të përbashkëta në disa zona të kryeqytetit.
Aksioni nisi në Njësinë Administrative nr. 5, një nga zonat më të populluara të Tiranës dhe ku, sipas Bashkisë, janë regjistruar edhe ankesa të vazhdueshme nga qytetarët.
“Është marrë një nismë për subjektet që ushtrojnë këtë lloj aktiviteti, në mënyrë që elementet e lidhura me të të mos ekspozohen në fasada dhe në vende të dukshme. Duke marrë shkas edhe nga ankesat e qytetarëve, grupet e Bashkisë dhe drejtoritë përkatëse kanë nisur sot kontrollet në Njësinë nr. 5, si një nga njësitë më të populluara. Këto kontrolle do të vijojnë edhe në njësitë e tjera. U bëjmë thirrje bizneseve të bashkëpunojnë dhe të respektojnë rregullat, në mënyrë që të shmangen shqetësimet për banorët” u shpreh Besmir Nela, drejtor i Agjencisë së Mbrojtjes së Konsumatorit pranë Bashkisë së Tiranës.
Kontrollet do të vijojnë në të gjitha njësitë administrative të kryeqytetit, me synim që asnjë arkivol mos ekspozohet ne vitrinat e dyqaneve, veçanërisht në zonat e banuara.
