
Qeveria e Kosovës ka zhvilluar mbrëmë mbledhje elektronike, në të cilën ka miratuar një varg projektligjesh dhe vendimesh.
Ndër projektligjet e miratuara është edhe ai për Byronë Shtetërore për Verifikimin e Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.
Sipas njoftimit të Qeverisë, qëllimi i këtij projektligji është themelimi, organizimi dhe përcaktimi i kompetencave të Byrosë, si dhe përcaktimi i procedurave për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.
Qeveria ka miratuar edhe Projektligjin për Rekrutimin, Vlerësimin e Performancës, Kontrollin e Integritetit dhe Statusin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, përmes të cilit përcaktohen rregullat për rekrutimin, vlerësimin e performancës, kontrollin e integritetit dhe statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Po ashtu, është miratuar Projektligji për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, i cili përcakton parimet, procedurat, organet kompetente dhe masat disiplinore në rast të shkeljeve të detyrimeve profesionale.
Në kuadër të reformës në drejtësi, Qeveria ka miratuar edhe projektligjet për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Gjyqësor të Kosovës dhe Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës, si dhe Projektligjin për Akademinë e Drejtësisë.
Sipas Qeverisë, ky i fundit synon të sigurojë zhvillimin profesional të vazhdueshëm, cilësor dhe të standardizuar të gjyqtarëve, prokurorëve dhe profesionistëve të tjerë të lidhur me sistemin e drejtësisë.
Në njoftimin për media, u bë e ditur se në mbledhje janë miratuar edhe Projektligji për Energjinë dhe Projektligji për Energjinë Elektrike.
Përmes Projektligjit për Energjinë, qeveria tha se “bëhet përcaktimi i parimeve dhe rregullave të përgjithshme që rregullojnë aktivitetet në sektorin e energjisë në Republikën e Kosovës, për të siguruar furnizim të sigurt, të qëndrueshëm dhe cilësor me energji, për të mundësuar pjesëmarrjen aktive në tregjet rajonale dhe panevropiane të energjisë dhe për të krijuar kushte për një treg të hapur, transparent dhe konkurrues, që ofron çmime të përballueshme të energjisë të bazuara në treg, mbrojtje dhe fuqizim të konsumatorit, përfshirë mbrojtjen e konsumatorëve të cenueshëm, integrimin e energjisë nga burimet e ripërtërishme, si dhe përmirësimin dhe mbrojtjen e mjedisit dhe klimës”.
Ndërkaq, qëllimi i Projektligjit për Energjinë Elektrike, sipas Qeverisë, është “përcaktimi i rregullave dhe masave për sektorin e energjisë elektrike, për të garantuar furnizim të sigurt, të qëndrueshëm dhe cilësor me energji elektrike me çmime të përballueshme dhe transparente për konsumatorët fundorë, duke adresuar njëkohësisht caqet klimatike të vendit”.
Qeveria ka miratuar gjithashtu Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Agjencisë Franceze për Zhvillim për Projektin e Lojërave Mesdhetare XXI në Kosovë.
Në mesin e vendimeve të tjera janë edhe Projektligji për Inovacion dhe Ndërmarrësi dhe Projektligji për Pagesat e Vonuara në Transaksionet Tregtare.
Ky i fundit synon parandalimin e vonesave të pagesave në transaksionet tregtare dhe përcaktimin e rregullave për afatet dhe mënyrën e llogaritjes së kamatëvonesave ndërmjet shoqërive tregtare, si dhe ndërmjet shoqërive tregtare dhe autoriteteve publike.
Qeveria ka miratuar edhe vendimin për t’ia propozuar Kuvendit kandidatët për kryesues të Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji, si dhe kandidatët për dy pozita të anëtarëve të këtij bordi.
Ndërkaq, janë miratuar disa vendime për dhënien me qira të pjesëve të parcelave në zona të ndryshme kadastrale për nxjerrjen, përpunimin dhe shfrytëzimin e gurit gëlqeror, gurit dekorativ dhe materialeve të tjera.
Parcelat ndodhen në Semajë të Kaçanikut, Vasilevë dhe Korroticë të Epërme të Drenasit, Rahovec, Samadrexhë të Suharekës, Zatriq të Rahovecit, Raçak të Shtimes dhe Strazhë të Kaçanikut.
Në mbledhje është miratuar edhe Deklarata e Prioriteteve Afatmesme të Qeverisë 2027-2029, e cila përcakton kornizën e politikave për përgatitjen e Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve dhe buxhetit vjetor.
Qeveria ka vendosur gjithashtu që Komisionit për Verifikimin e Diplomave të Lëshuara nga Universiteti i Mitrovicës së Veriut t’i vazhdohet mandati edhe për tre muaj.
Në fund, janë miratuar edhe vendimi për Listën e anëtarëve potencialë të Komisionit të Pranimit për Kategorinë e Ulët dhe të Mesme Drejtuese, si dhe vendimi për pezullimin nga marrëdhënia e punës të një nëpunësi civil të kategorisë së lartë drejtuese. /Klankosova.tv
