LAJME / E Shtunë 26 Shtator 2026, 19:07

I jep fund jetës i dënuari në burgun e Reçit

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditen e sotme në burgun e Reçit, ku mësohet se është vetëvrarë brenda qelisë i dënuari Agron Llapushi.

Sipas informacioneve paraprake, Llapushi është gjetur i varur me litar në ambientet e dusheve të burgut. Ai ishte banues në Çekin të Gramshit dhe vuante dënimin për vrasjen e bashkëshortes së tij, Alketa Llapushi, në vitin 2015.

Në atë kohë, 49-vjeçari sapo ishte kthyer nga emigrimi në Greqi. Pas një konflikti për një tokë në Gramsh, ai mbyti bashkëshorten dhe më pas u dorëzua në polici, ku pranoi krimin e rëndë. Mësohet se çifti kishin një fëmijë. Gjatë vuajtjes së dënimit, ai nuk kishte pasur takime me familjarët, përveç dy takimeve të regjistruara, në vitet 2023 dhe 2025.

Prokuroria kishte kërkuar burgim të përjetshëm, ndërsa Llapushi u dënua me 24 vite e 4 muaj burg për veprën penale “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”. Vendimi mori formë të prerë më 10 dhjetor 2015.

Në dëshminë e dhënë pas krimit, Llapushi kishte deklaruar se familja përballej me vështirësi ekonomike dhe se ai kishte kaluar një periudhë të vështirë psikologjike. Për gjendjen e tij mendore ishte kryer edhe një ekspertizë psikiatriko-ligjore, e cila kishte arritur në përfundimin se ai nuk vuante nga ndonjë çrregullim psikik apo neuropsikik.