LAJME / E Hënë 31 Gusht 2026, 22:10

“Nuk është çështje e një emri”/ E zbulon avokati: Ja pse Veliaj vendosi të shkarkonte Anuela Ristanin

Firma e Erion Veliajt për revokimin e kompetencave të Anuela Ristanit ka hapur një sërë pikëpyetjesh mbi mënyrën se si do të funksionojë Bashkia e Tiranës në kushtet kur kryetari ndodhet në paraburgim.

Si do ta ushtrojë Veliaj mandatin nga paraburgimi dhe, mbi të gjitha, kush do të drejtojë në praktikë bashkinë më të madhe në vend? Për këto çështje dhe për arsyet e vendimit ndaj Ristanit, avokati i kryebashkiakut, Plarent Ndreca, flet në një intervistë për gazetarin e Top Channel, Muhamed Veliu.

Nga pala e Veliajt argumentohet se revokimi i delegimit nuk krijon vakancë në drejtimin e Bashkisë, pasi kompetencat i janë rikthyer kryetarit të zgjedhur. Por përtej aspektit ligjor, mbetet sfida praktike: si do të merren vendimet, si do të firmosen aktet dhe si do të komunikohet me administratën, ndërsa Veliaj vijon të jetë në paraburgim.

Në intervistë, Ndreca ndalet edhe te arsyet që, sipas mbrojtjes, çuan në revokimin e kompetencave të Anuela Ristanit, situata e administrimit të Tiranës gjatë mungesës së Veliajt dhe raporti institucional me qeverinë.

Zoti avokat, pse Erion Veliaj vendosi pikërisht tani, pas më shumë se një viti e gjysmë paraburgimi, t’i revokojë Anuela Ristanit delegimin e kompetencave? Çfarë ka ndryshuar konkretisht në marrëdhënien mes zotit Veliaj dhe drejtimit të Bashkisë së Tiranës?

Delegimi i kompetencave në shkurt të vitit 2025 ishte një zgjidhje e përkohshme, e diktuar nga rrethanat e krijuara pas arrestimit të tij, me një qëllim shumë të qartë: Bashkia të vazhdonte të funksiononte normalisht. Për një kohë të gjatë z. Veliaj e ka respektuar këtë zgjidhje dhe ka treguar gjithë durimin e nevojshëm për të mos cenuar funksionimin e qytetit. Ajo që ka ndryshuar nuk është mandati, por mënyra e ushtrimit të kompetencave të deleguara. Kryetari ka shqetësime reale për mënyrën se si është administruar qyteti gjatë mungesës së tij të detyruar. Tirana sot është më e pistë, ka më pak ujë dhe më pak shërbime; që nga largimi i tij nga detyra nuk është hapur asnjë shkollë apo çerdhe e re, ndërsa realizimi i investimeve është në një gjendje jashtëzakonisht shqetësuese. Pra, problemi nuk është vetëm se ushtrimi i kompetencave të deleguara është shkëputur gradualisht nga autoriteti i Kryetarit; problemi është se ndërkohë edhe administrimi i qytetit është përkeqësuar ndjeshëm. Në këto kushte, Kryetari nuk mund të qëndronte indiferent ndaj përgjegjësisë që i kanë dhënë qytetarët me votë.

A duhet ta lexojmë këtë vendim thjesht si një akt administrativ të Kryetarit të Bashkisë apo si një reagim ndaj mënyrës se si është drejtuar Bashkia gjatë kohës që zoti Veliaj ka qenë në paraburgim?

Arsyet i rendita më sipër. Në thelb, kemi të bëjmë me dy probleme që kanë ecur paralelisht: një largim progresiv nga autoriteti dhe vullneti institucional i Kryetarit, nga i cili buronte vetë delegimi dhe një largim nga ajo që qytetarët presin çdo ditë nga Bashkia e tyre. Në këto kushte, Kryetari kishte jo vetëm të drejtën, por edhe përgjegjësinë të ndërhynte. Dhe këtë bëri.

Në vendimin e tij, zoti Veliaj flet për “moszbatim dhe refuzim të urdhrave të drejtpërdrejtë” nga Anuela Ristani. Për cilat urdhra bëhet fjalë konkretisht? Cilat janë rastet më të rëndësishme?

Ka raste konkrete dhe të dokumentuara dhe pikërisht për këtë arsye ky konstatim është përfshirë në aktin e Kryetarit. Megjithatë, nuk do të doja ta shndërroja këtë çështje në një debat mbi një akt të vetëm, sepse nuk është ai shkaku i vendimmarrjes. Kemi të bëjmë me një seri kumulative rrethanash dhe me një proces progresiv shkëputjeje nga qytetari i Tiranes, jashte vullnetit te Kryetarit te Bashkise.

Një nga pikat që përmendet është edhe moszbatimi i vendimit gjyqësor për rikthimin në detyrë të Alban Dokushit. A ishte kjo çështja që e bindi zotin Veliaj se Ristani nuk po vepronte më në përputhje me autoritetin e tij?

Nuk është çështja e një emri dhe as e një vendimi të vetëm. Problemi është më i madh. Bashkia ekziston për qytetarët dhe duhet të funksionojë çdo ditë për ta. Kur shërbimet përkeqësohen, investimet ngecin, administrata humbet ritmin dhe njëkohësisht, nuk zbatohen as vendimet gjyqësore dhe urdhrat e Kryetarit, atëherë kemi një problem real drejtimi. Rasti që përmendni ishte një nga momentet, sepse respektimi i një vendimi gjyqësor të formës së prerë nuk është çështje preference. Por vendimi i z. Veliaj nuk u mor për një rast; u mor për Tiranën dhe për përgjegjësinë që Kryetari ka ndaj qytetarëve që e kanë zgjedhur.

Opozita e interpreton këtë lëvizje si një sfidë direkte të Erion Veliajt ndaj Edi Ramës për kontrollin politik të Bashkisë së Tiranës. A ka pasur komunikim mes zotit Veliaj dhe Kryeministrit Edi Rama lidhur me këtë vendim? Dhe, nëse nuk ka pasur, a mund të thuhet se ky është një vendim që zoti Veliaj e ka marrë në mënyrë të pavarur nga Kryeministri dhe Partia Socialiste?

Qeveria deklaroi publikisht: Kryetar i Bashkisë së Tiranës është Erion Veliaj dhe këto vendimmarrje i përkasin atij. Nuk kam asnjë arsye ta interpretoj ushtrimin e një kompetence ligjore të Kryetarit si sfidë ndaj Kryeministrit. Përkundrazi, më duket pozitiv fakti që sot ekziston një qëndrim institucional i qartë i Qeverisë shqiptare se kush është Kryetari dhe kujt i përkasin kompetencat e këtij funksioni. Sa u përket komunikimeve personale ndërmjet z. Veliaj dhe Kryeministrit, nuk ka asnje komunikim të tillë.

A ka lidhje ky vendim i z. Veliaj me faktin se gjatë kësaj periudhe njerëzit që kanë qenë pjesë e ekipit të tij janë larguar gradualisht nga Bashkia? A është revokimi i Ristanit edhe një reagim ndaj këtij procesi?

Nuk do ta reduktoja administratën e Bashkisë në “njerëzit e Veliajt” dhe “njerëzit e dikujt tjetër”. Bashkia e Tiranës nuk është pronë e asnjë individi apo partie; është institucion i qytetarëve. Por, natyrisht, nëse gjatë mungesës së detyruar të Kryetarit është krijuar gradualisht një administratë që funksionon gjithnjë e më e shkëputur nga autoriteti i tij, atëherë kjo është një çështje institucionale që Kryetari ka jo vetëm të drejtë, por edhe detyrim ta vlerësojë.

Pas revokimit të kompetencave të Ristanit, kush e drejton Bashkinë e Tiranës? Zoti Veliaj nuk caktoi një person tjetër në vend të saj. A ka ai ndërmend të delegojë kompetencat te një tjetër nënkryetar?

Përgjigjja është shumë e thjeshtë: Kryetar i Bashkisë së Tiranës është Erion Veliaj. Ky është një realitet që tashmë pranohet publikisht edhe nga autoritetet e tjera shtetërore. Revokimi i delegimit nuk krijon vakancë në funksionin e Kryetarit. Përkundrazi, do të thotë se kompetencat e deleguara i rikthehen autoritetit nga i cili kanë buruar. Nëse z. Veliaj do të vendosë më vonë të delegojë kompetenca të caktuara, kjo është një vendimmarrje që i përket atij dhe që do të merret duke pasur parasysh mbi të gjitha funksionimin normal të Bashkisë dhe interesin e qytetarëve.

A është e mundur të drejtojë nga paraburgimi? Nëse zoti Veliaj është fizikisht në paraburgim, si do ta ushtrojë në praktikë autoritetin e Kryetarit? A do të marrë vendime të tjera nga paraburgimi dhe a do të ketë një mekanizëm funksional për komunikimin me administratën?

Kjo është pyetja thelbësore. Gjykata Kushtetuese ka konfirmuar se Erion Veliaj është Kryetari legjitim i Tiranës dhe ka kërkuar që, në vlerësimin e masës së sigurimit, të merret në konsideratë edhe mandati i tij si Kryetar. Z. Veliaj do të ushtrojë çdo kompetencë që ligji i njeh dhe do të kërkojë që t’i krijohen kushtet praktike për komunikimin me administratën dhe drejtimin e qytetit. Masat e perkohshme te sigurimit; nuk mund të shndërrohet de facto në pezullim të një mandati kushtetues. Nëse shteti e njeh Erion Veliajn si Kryetar, duhet t’i mundësojë edhe ushtrimin efektiv të mandatit. Përndryshe, një masë e përkohshme penale nuk kufizon më vetëm lirinë e një individi, por ndërhyn drejtpërdrejt në vullnetin e 160 mijë qytetarëve dhe në ushtrimin e demokracisë vendore./ Top Channel