
Ministria e Shëndetësisë ka ardhur me një reagim zyrtar lidhur me ngjarjen tragjike të regjistruar këtë të hënë, ku 37-vjeçarja e cila ishte në muajin e shtatë të pritjes së ëmbël humbi jetën teksa po transportohej me ambulancë nga Pogradeci drejt Tiranës.
Në reagimin zyrtar, ministria fillimisht u shpreh ngushëllime familjarëve të 37-vjeçares, teksa më tej ka bërë me dije se kanë nisur hetimet lidhur me këtë rast, duke kryer të gjitha vlerësimet sa i përket menaxhimit të ngjarjes, nga momenti kur pacientja është paraqitur në spitalin e Pogradecit dhe deri në përfundimin e trajtimit.
“Angazhimi ynë është i plotë për të garantuar transparencë dhe përgjegjshmëri. Çdo gjetje mbi vlerësimin e menaxhimit të rastit do të analizohet me seriozitetin maksimal dhe, nëse evidentohen parregullsi apo mangësi në ndjekjen e rastit, do të merren të gjitha masat e nevojshme, në përputhje me ligjin dhe standardet profesionale.
Siguria e nënës dhe garantimi i kujdesit obstetrikal në kohë, me cilësi dhe në përputhje me standardet e përcaktuara, janë përgjegjësi të panegociueshme të sistemit shëndetësor”, thuhet më tej në reagimin e Ministrisë së Shëndetësisë.
Ngjarja tragjike u regjistrua këtë të hënë, ku 37-vjeçarja e identifikuar si Marjana Karolina Bunaj, shtatzënë në muajin e shtatë, ndërroi jetë në spital, ndërsa familjarët e saj kanë bërë denoncim në polici, duke ngritur dyshime për neglizhencë mjekësore dhe vonesë në trajtim nga bluzat e bardha në Pogradec.
Marjana Karolina Bunaj, 37 vjeçe, me origjinë nga Mirdita, prej disa vitesh jetonte në Pogradec pas martesës. Ajo u paraqit rreth orës 1:00 të mëngjesit në maternitetin e qytetit, pasi kishte nisur të kishte dhimbje të forta barku.
Familjarët pretendojnë se pasi mjekët konstatuan rëndimin e gjendjes së saj u diskutua mundësia e transportimit drejt Tiranës me helikopter, për të marrë një trajtim më të specializuar. Por, sipas tyre transporti ajror nuk u realizua për shkak të orarit të natës.
Në këto kushte, rreth orës 04:30, rreth tre orë pas mbërritjes së saj në spital, mjekët vendosën transferimin e 37-vjeçares drejt Tiranës me ambulancë.
Por gjatë rrugës, gjendja e Marjana Karolina Bunajt u përkeqësua dhe pavarësisht ndihmës së bluzave të bardha ajo nuk arriti të mbijetonte.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale shpreh keqardhjen e thellë për humbjen e jetës së pacientes M.K. dhe i përcjell familjes dhe të afërmve ngushëllimet më të sinqerta.
Në respekt të familjes dhe në këtë moment të dhimbshëm, MSHMS po ndjek me përgjegjshmëri të plotë të gjitha hapat që lidhen me trajtimin dhe menaxhimin e këtij rasti.
Ministria ka kërkuar kryerjen e një vlerësimi të plotë dhe të pavaru të menaxhimit të rastit, me qëllim vlerësimin profesional dhe të paanshëm të të gjithë procesit të kujdesit shëndetësor, nga paraqitja e pacientes deri në përfundimin e trajtimit.
Angazhimi ynë është i plotë për të garantuar transparencë dhe përgjegjshmëri. Çdo gjetje mbi vlerësimin e menaxhimit të rastit do të analizohet me seriozitetin maksimal dhe, nëse evidentohen parregullsi apo mangësi në ndjekjen e rastit, do të merren të gjitha masat e nevojshme, në përputhje me ligjin dhe standardet profesionale.
Siguria e nënës dhe garantimi i kujdesit obstetrikal në kohë, me cilësi dhe në përputhje me standardet e përcaktuara, janë përgjegjësi të panegociueshme të sistemit shëndetësor.
