
**Rekord historik në Bavari: Mbi 4 mijë qytetarë nga Kosova morën shtetësinë gjermane gjatë vitit 2025**
Viti 2025 ka shënuar një rekord historik në landin e Bavarisë, në jug të Gjermanisë, sa i përket numrit të personave që kanë fituar shtetësinë gjermane. Sipas të dhënave më të fundit, qytetarët me origjinë nga Kosova renditen ndër grupet kryesore që kanë përfituar nga procesi i natyralizimit.
Sipas gazetës gjermane *Süddeutsche Zeitung*, gjatë vitit të kaluar rreth **60 mijë persona** u bënë shtetas të rinj të Bavarisë. Në këtë statistikë, **rreth 4.100 qytetarë nga Kosova** fituan shtetësinë gjermane, duke u renditur në vendin e tretë, së bashku me Rusinë dhe Bosnjë e Hercegovinën. Dy komunitetet me numrin më të lartë të shtetësimeve ishin Turqia me **6.495 persona** dhe Siria me **4.979 persona**.
Të dhënat e publikuara nga Zyra e Statistikave e Bavarisë tregojnë se gjatë vitit 2025 gjithsej **59.573 persona** morën shtetësinë gjermane, afro 10 për qind më shumë krahasuar me një vit më parë. Krahasuar me vitet 2021 dhe 2022, numri i shtetësimeve është dyfishuar, ndërsa në raport me vitin 2014 është rritur katërfish.
Ministri i Brendshëm i Bavarisë, Joachim Herrmann, e cilësoi këtë zhvillim si një tregues të rëndësishëm të integrimit, duke theksuar se marrja e shtetësisë përfaqëson një vendim të vetëdijshëm për t’u bërë pjesë e shoqërisë gjermane dhe bavareze. Sipas statistikave, **58 për qind** e shtetasve të rinj janë të moshës nga 18 deri në 44 vjeç.
Për të fituar shtetësinë gjermane, aplikantët duhet të dëshmojnë njohuri të mjaftueshme të gjuhës gjermane, të jenë financiarisht të pavarur, të kalojnë testin e shtetësisë dhe të mos kenë dënime penale.
Megjithëse reforma e ligjit për shtetësinë, e miratuar në verën e vitit 2024, e uli periudhën minimale të qëndrimit nga tetë në pesë vjet dhe lejoi dyshtetësinë, ministri Herrmann është shprehur në favor të rikthimit të kriterit të mëparshëm prej tetë vitesh, duke argumentuar se një periudhë më e gjatë qëndrimi garanton integrim më të plotë dhe më të qëndrueshëm në shoqërinë gjermane, do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE
