LAJME / E Premte 4 Shtator 2026, 23:11

Konflikti me armë mes dy biznesmenëve në Vlorë, reagon Rama

“Historia e djeshme mes konfliktit banal mes dy ndërtuesve dhe nga ana tjetër, një analizë e hartës pronësore të zonës në fjalë, na ka bindur se duhet jo vetëm t’i japim fund asaj historie, por duhet t’i japim një mesazh të qartë të gjithë atyre që zhvillojnë dhe menaxhojnë asete turistike.

Ata duhet të kuptojnë që nuk duhet ta cenojnë me qasjen dhe me sjelljen e tyre lënduese atë që është një mision i madh kombëtar, misioni ynë i Shqipërisë turistike, i cili shkon shumë përtej transformimit fizik të vendit dhe u imponon të gjithë aktorëve të vetë në radhë të parë, nga investitorët te kamarierët të sillen si ambasadorë të turizmit shqiptar, edhe me njëri-tjetrin. Lëre pastaj me shoqërinë shqiptare dhe me vizitorët e panumërt që trokasin në dyert e Shqipërisë.

Prandaj, banaliteti dhe brutaliteti i çdo natyre duhet të marrin përgjigjet që kërkon rëndësia shoqërore e një misioni të tillë kombëtar dhe autorët e veprimeve lënduese të çdo niveli.

Me dhunë mbi tjetrin, me harbullëk mbi klientët, me papërgjegjshmëri mbi hapësirën e përbashkët publike, apo me akte arrogance dhe zhurma shurdhuese mbi komunitetin, duhet të bëhen shembull, shembull të një vije të kuqe domosdoshme për Shqipërinë.

Ne kemi vendosur ta shpronësojmë për interes publik të gjithë zonën e atij konflikti banal dhe brutal të ditës së djeshme.

Ta kthejmë në një aset turistik dhe publik për të gjithë. Oaz natyror për pemën të bekuar të ullirit. Një park i gjallë ku do të mbillen dhe të ruhen varietet autoktone shqiptare dhe ato të Mesdheut, dhe do të ekspozohen tërë vajrat e ullirit që prodhohen në Shqipëri”.