LAJME / E Premte 4 Shtator 2026, 22:10

Lajm i Fundit/ Pas 14 vitesh, Sali Berisha largohet nga Shqipëria, fluturon drejt…

Sali Berisha, pritet të niset këtë të premte drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku do të zhvillojë një vizitë disa ditore me një axhendë të ngjeshur aktivitetesh.

Vizita e kryetarit të Partisë Demokratike në SHBA pritet të zgjasë rreth shtatë ditë dhe do të përfshijë pjesëmarrjen në disa aktivitete, mes tyre edhe Konventën Kombëtare Republikane, e cila do të zhvillohet në Dallas më 9 dhe 10 shtator.

Përveç pjesëmarrjes në këtë aktivitet, Berisha pritet të zhvillojë edhe dy takime me komunitetin shqiptar në Shtetet e Bashkuara. Takimi i parë është parashikuar të mbahet në New York më 6 shtator, ndërsa takimi i dytë do të zhvillohet të martën, më 8 shtator në Teksas.

Ndërkohë, përveç axhendës së bërë publike, kryedemokrati pritet të zhvillojë edhe disa takime me kongresmenë dhe senatorë amerikanë. Për këto takime, megjithatë deri më tani nuk ka pasur një njoftim zyrtar.

Burime bëjnë me dije se delegacioni që do të shoqërojë kreun e PD-së gjatë vizitës në SHBA përbëhet nga nënkryetari i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, deputetët Albana Vokshi dhe Klevis Balliu, kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, si dhe sekretari Henri Ceno.

Rikthimi i Sali Berishës në Shtetet e Bashkuara vjen pas gati 14 vitesh. Hera e fundit që ai kishte udhëtuar përtej Atlantikut ishte në vitin 2012, në kohën kur mbante postin e kryeministrit të Shqipërisë.

Kujtojmë se më 12 qershor të këtij viti, me shpejtësi në mediat shqiptare qarkulloi lajmi se ndaj Sali Berishës ishte hequr statusi “non grata”. Mirëpo, kjo vizitë e Berishës vjen pas një lehtësimi që shteti amerikan i dha atij me qëllim që të marrë pjesë në këtë eveniment, dhe nuk ka lidhje me “non gratën” e vendosur ndaj tij.

Ish-kryeministri Sali Berisha u shpall “non grata” nga Departamenti Amerikan i Shtetit në maj të vitit 2021.