LAJME / E Premte 4 Shtator 2026, 23:11

E dhimbshme: Ky është postimi prekës i motrës së Laurentit

Dhimbja në familjen e Laurent Krasniqit është bërë edhe më e dukshme pas ceremonisë së varrimit të 29-vjeçarit, i cili humbi jetën pas aksidentit të rëndë me motoçikletë.

Pas lamtumirës së fundit, motra e Laurentit ka publikuar në Instagram një fotografi të vëllait të saj, të cilën e ka shoqëruar me një mesazh tejet emocional.

“Oj dashnia e motrës që ma thajte shpirtin, s’di qysh kom me vazhdu me jetu pa ty, vllau jem”, ka shkruar ajo.

Fjalët e saj pasqyrojnë dhimbjen e madhe të familjes pas humbjes së papritur të Laurentit, ndërsa postimi ka prekur edhe shumë prej njerëzve që e kanë njohur dhe ndjekur atë.

Laurent Krasniqi u përcoll këtë të enjte për në banesën e fundit në fshatin Llukar, ku familjarë, të afërm, miq dhe njerëz të shumtë u mblodhën për t’i dhënë lamtumirën e fundit.

Në ceremoninë e varrimit u panë edhe miqtë e tij të ngushtë, mes tyre Egzon Sahiti dhe Fitim Sylejmani, të cilët ishin pranë familjes në këto momente të vështira.

Laurenti kishte humbur jetën vetëm një ditë më parë, pas një aksidenti të rëndë në Llukar të Prishtinës, ku ishte përfshirë motoçikleta që drejtonte ai dhe një automjet.

Pas aksidentit, ai ishte dërguar për trajtim mjekësor, por nuk kishte arritur t’u mbijetonte lëndimeve të marra.

Lajmi për humbjen e tij u përhap me shpejtësi dhe solli reagime të shumta, veçanërisht në rrjetet sociale, ku Laurenti kishte një numër të madh ndjekësish.

Miq, të njohur dhe persona që e kishin ndjekur gjatë paraqitjes së tij në Big Brother VIP Kosova kanë publikuar fotografi dhe kujtime të përbashkëta, duke i kushtuar fjalë lamtumire.

Një nga dedikimet më emocionale kishte ardhur edhe nga Fitim Sylejmani, i cili Laurentin e konsideronte si vëlla.

“Lal, ma këpute shpirtin vllau jem. Allahu t’mshiroftë e t’boftë prej banorëve të Xhenetit”, kishte shkruar Fitimi pas lajmit të rëndë.

Por pas ceremonisë së varrimit, janë pikërisht fjalët e motrës së Laurentit që kanë prekur veçanërisht ndjekësit.

“S’di qysh kom me vazhdu me jetu pa ty”, ka shkruar ajo përkrah fotografisë së vëllait, duke treguar boshllëkun e madh që ka lënë pas humbja e tij.

Familja e Laurent Krasniqit po vazhdon të marrë mesazhe ngushëllimi dhe solidariteti, ndërsa fotografitë dhe kujtimet e 29-vjeçarit po shpërndahen gjerësisht në rrjetet sociale.

Për familjen dhe njerëzit e tij më të afërt, ceremonia e varrimit shënoi lamtumirën e fundit, ndërsa dedikimi i motrës tregon dhimbjen e thellë që ka lënë pas humbja e Laurentit.