
Ikën Porto Palermo, a po i fal Edi Rama një tjetër pronë miqve të tij? Meçollari ngre alarmin, ushtria shqiptare prej një dekade pa vendkomandë lufte në kulmin e tensioneve në Europë
Për vendimin e fundit të qeverisë për muzealizimin e tunelit të Porto Palermos kanë shpërthyer debatet dhe dyshimet se pas projektit mund të fshihen plane të tjera për një nga zonat më strategjike dhe të lakmuara të Rivierës Shqiptare.
Ish-ushtaraku Artur Meçollari ka ngritur alarmin, duke akuzuar qeverinë se jo vetëm po zhvesh ushtrinë nga asetet e saj strategjike, por po lë prej një dekade pa vendkomandë lufte Shtabin e Përgjithshëm në një kohë kur tensionet në Europë po shtohen.
Sipas tij, pas largimit të funksionit ushtarak të Porto Palermos dhe kthimit të tunelit në muze, lindin pikëpyetje të forta nëse kjo pasuri do të mbetet vërtet në shërbim të historisë dhe trashëgimisë kombëtare, apo nëse po përgatitet terreni për një tjetër projekt zhvillimi në favor të interesave private pranë qeverisë. “Iku dhe tuneli i Porto Palermos.
Europa përgatitet për luftë, Rama vijon shkatërrimin e Ushtrisë. Ka 10 vjet që ka lënë Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë pa vendkomandë të kohës së luftës. E ka krhyer në muze. Kur t? plasi lufta, ishalla nuk pëlcet, Shtabi i Përgjithshëm do stehohet në Surrel. Bajrami e ka BunkArt1 në listën e Planit të Vendosjes dhe Përhapjes si vendkomandë rezervë të Shtabit të Përgjithshëm”, shkruan Artur Meçollari, duke shpërndarë investigimin e mëposhtëm.
Muzealizim apo një tjetër copë e Rivierës që po përgatitet për “zhvillim”?
Ndërsa protestat për Sazanin dhe Zvërnecin vazhdojnë të mbushin sheshet e Tiranës dhe debati për fatin e bregdetit shqiptar është bërë më i fortë se kurrë, vendim i qeverisë për tunelin e Porto Palermos ka kaluar javën e kaluar. Me një vendim të botuar në Fletoren Zyrtare n? dat?n 9 qershor, qeveria ka ngarkuar Agjencinë Kombëtare të Planifikimit të Territorit për organizimin e konkursit të projektimit për projektidetë e muzealizimit të infrastrukturës dhe tunelit të Porto-Palermos.
Për këtë fazë janë vënë në dispozicion 24.55 milionë lekë nga fondet publike. Askush nuk mund të ketë kundërshtim ndaj muzealizimit të një pasurie me vlera historike dhe ushtarake. Përkundrazi, tuneli i Porto-Palermos është një nga objektet më të veçanta të trashëgimisë së periudhës së Luftës së Ftohtë dhe prej vitesh është lënë në harresë, larg vëmendjes që meriton. Sipas Kontrast.al, historia e viteve të fundit na ka mësuar se në Shqipëri, fjalët “rijetëzim”, “valorizim”, “rehabilitim”, “zhvillim turistik” dhe “muzealizim” nuk janë më thjesht terma teknikë. Ato janë bërë hyrja e zakonshme e projekteve që më pas marrin përmasa krejt të tjera.
Pikërisht për këtë arsye, Porto Palermo nuk mund të shihet i shkëputur nga ajo që po ndodh në të gjithë vijën bregdetare shqiptare. Nga Kepi i Rodonit deri në Jugun e thellë, nga Gjiri i Lalzit deri në Zvërnec, nga Sazani deri në dhjetëra pika të tjera strategjike, qytetarët kanë parë të njëjtin skenar të përsëritet vazhdimisht. Fillimisht flitet për restaurim, promovim, hapje për publikun apo rikthim në identitet. Më pas vijnë projektet, investimet, zhvillimet, partneritetet dhe transformimet që ndryshojnë përgjithmonë karakterin e zonës.
Porto Palermo ka një peshë edhe më të madhe. Nuk është vetëm një nga gjiret më të bukura të Rivierës Shqiptare. Nuk është vetëm një peizazh i rrallë mes detit dhe malit. Është edhe një pikë me rëndësi të veçantë historike dhe strategjike për vendin. Për dekada me radhë aty ka funksionuar një nga bazat ushtarake më të rëndësishme të Shqipërisë. Tuneli i ndërtuar për nëndetëset dhe infrastruktura përreth përfaqësojnë një pjesë të historisë së mbrojtjes kombëtare që nuk gjendet askund tjetër në vend.
Prandaj shqetësimi nuk lidhet me muzeun. Shqetësimi lidhet me atë që mund të vijë pas tij. Vendimi i qeverisë nuk shpjegon se deri ku do të shtrihet projekti. Nuk sqaron se çfarë territori përfshihet. Nuk tregon kufijtë e ndërhyrjes. Nuk përcakton nëse bëhet fjalë vetëm për tunelin apo për një zonë më të gjerë. Nuk sqaron se çfarë do të lejohet dhe çfarë nuk do të lejohet në të ardhmen. Publikut i kërkohet të besojë se bëhet fjalë vetëm për një muze. Por publiku ka parë tashmë shumë projekte që kanë nisur me një emër dhe kanë përfunduar me një tjetër. Kjo është arsyeja pse Porto Palermo meriton transparencë shumë më të madhe sesa një vendim administrativ i botuar në Fletoren Zyrtare.
Ajo që po ndodh sot në bregdetin shqiptar nuk është thjesht zhvillim. Është një transformim i thellë i territorit, i peizazhit dhe i aseteve strategjike të vendit. Çdo gji, çdo kep, çdo bazë ushtarake e braktisur dhe çdo hapësirë me vlerë turistike po hyn gradualisht në hartën e projekteve të mëdha. Në këtë klimë mosbesimi, Porto Palermo nuk mund të trajtohet si një procedurë teknike e zakonshme.
Ajo është një provë tjetër për shtetin shqiptar. Nëse vërtet bëhet fjalë për muzealizim, atëherë projekti duhet të jetë i hapur, transparent dhe i kufizuar vetëm në këtë qëllim. Porto Palermo nuk ka nevojë për premtime. Ka nevojë për garanci. Garanci se tuneli do të mbetet tunel, muzeu do të mbetet muze dhe se pas fjalëve të bukura për trashëgiminë, historinë dhe turizmin nuk fshihet një tjetër kafshim i bregdetit shqiptar nga betoni i hoteleve aty rrotull, do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE
