
Moderatorja televizive egjiptiane Sarah Khalifa dhe 11 persona të tjerë janë dënuar me vdekje me varje, pasi u shpallën fajtorë për akuza të lidhura me trafikun e drogës, raporton BBC.
Sipas gazetës shtetërore egjiptiane Al-Ahram, të dënuarit ishin pjesë e një grupi kriminal që importonte lëndë të para të përdorura për prodhimin e drogave, me qëllim shitjen e tyre.
Autoritetet kanë deklaruar gjithashtu se grupi posedonte në mënyrë të paligjshme armë zjarri dhe municione. Sarah Khalifa, 39 vjeçe, është e njohur për programin televiziv “Mission Impossible”, i cili trajtonte çështje kriminaliteti. Ajo i ka mohuar akuzat e ngritura ndaj saj.
Nëntë të pandehur të tjerë janë dënuar me burgim të përjetshëm, ndërsa shtatë persona janë shpallur të pafajshëm.
Avokati i Khalifas ka deklaruar se do të apelojë vendimin për dënimin me vdekje.Vendimi ishte shpallur fillimisht muajin e kaluar, por u konfirmua zyrtarisht vetëm një muaj më vonë, pasi gjykata mori opinionin fetar të myftiut të madh të Egjiptit. Ky është një hap i detyrueshëm ligjor në rastet kur gjykata jep dënim me vdekje.
