
Një ligjvënës i Kongresit federal të Meksikës është gjetur i pajetë brenda automjetit të tij në shtetin e Veracruz.
Viktima është Zeniazen Escobar, 42 vjeç, i cili u gjet në sediljen e shoferit të makinës së tij të parkuar në anë të rrugës, me një plagë nga arma e zjarrit. Pranë trupit, hetuesit kanë gjetur edhe një armë.
Lajmin e ka konfirmuar Ministri i Brendshëm i Veracruz, Ricardo Ahued, i cili tha se shkak i vdekjes ka qenë një e shtënë me armë zjarri. Ai nuk dha më shumë detaje, duke mos sqaruar nëse bëhet fjalë për vetëvrasje apo vrasje.
“Vdekja ka ardhur si pasojë e një plage me armë zjarri, në këtë moment nuk mund të japim detaje të tjera”, u shpreh ai.
Escobar njihej për një karrierë të gjatë në administratën publike. Ai ka punuar si mësues, ka drejtuar një sindikatë arsimore dhe ka mbajtur postin e Ministrit të Arsimit në Veracruz nga viti 2018 deri në 2021. Në shtator të vitit 2024, ai u zgjodh deputet federal.
Ai kishte tërhequr vëmendjen e opinionit publik disa muaj më parë pas një sherri të bujshëm në Kongres. Ai ishte përplasur me deputetin e opozitës nga PRI, Carlos Mancilla, pasi ky i fundit e kishte quajtur të dehur. Debati degjeneroi në ofendime, ku Mancilla e quajti Escobarin “striptist i mallkuar, njeri që ia mbath nga shoqëria”, ndërsa Escobar e kërcënoi se do ta godiste.
Veracruz mbetet një nga shtetet me nivelin më të lartë të dhunës në Meksikë, ku përplasjet mes grupeve kriminale të lidhura me trafikun e drogës janë të shpeshta. Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të vdekjes së deputetit.
