
Ndërsa në vend priten lëvizje në kabinetin qeveritar dhe protesta vijon prej javësh para Kryeministrisë, analisti dhe eksperti i sigurisë Ilir Kulla thotë se sfida e vërtetë për kryeministrin Edi Rama nuk është vetëm ndryshimi i ministrave, por përmbushja e detyrimeve që, sipas tij, kërkohen nga partnerët ndërkombëtarë.
I ftuar në podkastin “Të Pashoq”, Kulla u shpreh se ndryshimet në qeveri mund të kenë vlerë vetëm nëse shoqërohen me veprime konkrete kundër korrupsionit, krimit dhe interesave të lidhura me pushtetin.
“Çështja është që në qoftë se kryeministri vendos që disa nga gjërat për të cilat flet protesta, disa nga aspektet që ajo ngre, të fillojë t’i bëjë realitet, atëherë situata ndryshon. Partnerët ndërkombëtarë nuk i kërkojnë zotit Rama të largohet. Ata i kërkojnë të bëjë punën. Po e bëri punën, është një situatë. Po nuk e bëri, atëherë duhet të largohet”, u shpreh Kulla.
Për të ilustruar argumentin e tij, Kulla solli në vëmendje një episod nga koha kur ministri i ndjerë Sokol Olldashi drejtonte Ministrinë e Brendshme, duke thënë se lufta ndaj krimit kërkon vendime të vështira edhe ndaj njerëzve të afërt politikisht.
“Sokol Olldashi vendosi të godiste krerët e bandave dhe kërkoi ndihmën e partnerëve italianë për të kapur Aldo Baren. Por, përpara se të ndërmerrej ai operacion, partnerët i kërkuan që të arrestoheshin edhe persona të tjerë, të cilët ishin mbështetës të Partisë Demokratike në zonën ku ai ishte zgjedhur deputet. Ishte një çmim politik shumë i rëndë, por ai e bëri. Ky është dallimi mes fjalëve dhe veprimit kur bëhet fjalë për shtetin”, tha ai.
Sipas analistit, edhe sot ekziston një pritshmëri e ngjashme nga partnerët ndërkombëtarë, të cilët, sipas tij, presin goditje konkrete ndaj personave të përfshirë në afera kriminale apo korruptive.
“Do të shohim nëse do të veprohet me atë listën që askush nuk e thotë publikisht, por që unë jam i bindur se ekziston. Në atë listë ka njerëz të krimit, njerëz të biznesit, oligarkë dhe figura politike që duhet të hetohen, të goditen dhe të mbajnë përgjegjësi. Kjo është ajo që pritet të ndodhë”, deklaroi Kulla.
Analisti tha se zhvillimet e muajve të fundit nuk janë të rastësishme dhe i lidhi edhe me kërkesat që, sipas tij, Shtetet e Bashkuara i kanë adresuar Shqipërisë.
“Mos harrojmë se në fillim të këtij viti Departamenti Amerikan i Shtetit kishte lënë disa detyra për Shqipërinë. Nuk është rastësi që shumë nga kërkesat që ngre sot protesta përputhen me ato prioritete. Për një kohë të gjatë zoti Rama fitoi kohë me narrativa të ndryshme, duke folur për Greqinë, Serbinë, Rusinë apo Iranin, por në fund mbeten detyrat e shtëpisë që duhen bërë”, u shpreh ai.
Në përfundim, Kulla tha se muajt në vijim do të tregojnë nëse qeveria do të zgjedhë rrugën e reformimit apo të përplasjes politike.
“Nëse zoti Rama bën një reflektim të thellë dhe merr përsipër të bëjë atë që duhet të bëjë një qeveri që synon anëtarësimin në Bashkimin Europian, atëherë do të shohim një tjetër situatë. Nëse nuk e bën, atëherë lufta e tij për mbijetesë politike do të shumëfishohet, ashtu si do të shumëfishohet edhe përballja me protestën”, përfundoi Kulla, do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE
