SHOWBIZ / E Mërkurë 9 Shtator 2026, 12:12

Trondit ish-banori i “Big Brother Vip”: Problemet shëndetësore më bënë të mendoja më të keqen

Ish-banori i “Big Brother VIP”, Granit Cana, ka folur hapur për një periudhë të vështirë të jetës së tij, duke zbuluar se prej gati shtatë vitesh përballet me probleme shëndetësore, për të cilat ende nuk ka marrë një diagnozë përfundimtare.

Në një intervistë për “Shqipëria Live”, Cana tregoi se shqetësimet nisën me episode të shikimit të turbullt. Me kalimin e kohës, sipas tij, iu shfaqën edhe vështirësi në të folur dhe në përqendrim. Madje, edhe gjatë eksperiencës së tij në “Big Brother VIP”, banorët kishin vënë re ndryshime në sytë e tij.

Për të kuptuar shkakun e problemeve, Cana tha se i është nënshtruar një sërë ekzaminimesh, mes tyre skanerë, analiza gjaku dhe kontrolle te neurologët. Në një moment, mjekët dyshuan edhe për një tumor në sinus, por ekzaminimet nuk e konfirmuan këtë dyshim.

Përtej vështirësive fizike, ish-banori i BBV rrëfeu se ka kaluar edhe një periudhë rreth dyvjeçare depresioni. Ai tregoi se ka pasur momente kur është izoluar dhe ka përjetuar mendime shumë të errëta, deri edhe te vetëvrasja.

“Kam pasur momente që mendoja më të keqen, të bëja diçka që nuk duhej bërë. Kam menduar pastaj për familjen”, rrëfeu Cana.

Ai tha se mbështetja e familjes dhe besimi kanë qenë faktorë të rëndësishëm për ta kaluar atë periudhë të vështirë.


Pavarësisht viteve të kontrolleve dhe ekzaminimeve, Granit Cana vijon të jetë në kërkim të një përgjigjeje përfundimtare për problemet shëndetësore që e kanë shoqëruar prej vitesh.