LAJME / E Mërkurë 9 Shtator 2026, 12:12

Karamuço: Kemi dërguar dhe kemi trajnuar ushtarakë ukrainas

Eksperti i kriminalistikës, Ervin Karamuço në një intervistë për Euronews Albania, ka folur për historinë e tregtisë së armëve nga Shqipëria, duke theksuar se vendi ka bërë për 36 vite “trafik armësh” por gjithmonë brenda rregullave ligjore dhe me dokumentacion zyrtar.

Sipas tij, Shqipëria ka eksportuar armatime në forma të ndryshme, përfshirë në Afrikë dhe Lindjen e Mesme, dhe ka prodhuar vetë armë deri në vitet 2001-2002, kur më pas prodhimi dhe eksporti u ndërpre.

“Në 36 vite demokraci, Shqipëria ka bërë gjithë kohën ‘trafik armësh’, por i gjithi ka qenë sipas të gjitha rregullave dhe dokumentacionit zyrtar me dijeninë e institucioneve, eksport-import. Kemi bërë forma nga më të ndryshmet.

Kemi çuar në Afrikë, janë disa ministra të mbrojtjes që kanë marrë pjesë. Kemi çuar armatime, kemi çuar në Lindje. Kemi prodhuar dhe kemi çuar deri në vitin 2001-2002. Kemi prodhuar armë deri në 2002-shin vetë. Pastaj e kemi ndërprerë prodhimin dhe eksportin”, tha ai.

Duke u ndalur te rasti konkret i Ukrainës, eksperti tha se nuk është më sekret që Shqipëria ka dërguar armë dhe ka mbështetur Kievin me logjistikë që në fillimet e luftës, madje edhe me trajnime ushtarake.

“Dhe të vijmë te Ukraina siç është rasti konkret. Tashmë nuk përbën ndonjë sekret që ne kemi çuar armë në Ukrainë. Kemi mbështetur me logjistikë Ukrainën që në fillimet e saj. Madje kemi bërë trajnime të disa prej ushtarakëve të nivelit të mesëm dhe të lartë në Shqipëri, të cilët më pas shkuan në front. Më fal, kjo ka qenë historia e nënkuptuar e shumë falënderimeve që Zelensky ka drejtuar, ka adresuar ndaj Shqipërisë në atë kohë”, u shpreh Karamuço.

Ai sqaroi se fjala “trafik” në këtë kontekst nuk nënkupton paligjshmëri, por një zinxhir tregtar me porositës, përpunues dhe përfitues, i cili kur është i aprovuar kthehet në tregti normale, e kur është i paaprovuar është i paligjshëm dhe dënohet sipas ligjeve ndërkombëtare.

“Atëherë, kjo është pjesë e një trafiku në kuptimin e ligjshëm, jo të paligjshëm. Eksport-import. Unë e përmenda trafik sepse ka porositës, ka një përpunues dhe pastaj ka një përfitues. Dhe kjo në linjat e trafikut ndërkombëtar të armëve është e aprovuar ose e paaprovuar. Kur është e paaprovuar është e paligjshme dhe në bazë të ligjeve ndërkombëtare ti shkon në burg. Nëse është e aprovuar, pastaj kthehet në një tregti normale”, tha eksperti.

Ai solli shembullin e Serbisë si tregtarja më e madhe e armëve në Ballkan për Ukrainën.

“Për shembull, në Ballkan tregtaren më të madhe të armëve me Ukrainën e ka Serbia. Serbia ka 17 fabrika shtetërore dhe private që prodhojnë vetëm për Ukrainën. Kjo ka qenë edhe përplasja, mos hymë, përplasja me Rusinë që pse i çoni armë e të tjerë e të tjerë. Dhe së fundi dronët që ka marrë Izraeli, si po bashkëpunon dhe këtu dhe aty”, përfundoi Karamuço.