
Mimoza Ahmeti po përjeton një moment të dhimbshëm në jetën e saj. Ajo ka njoftuar ndarjen nga jeta të babait, duke publikuar në rrjetet sociale një mesazh të gjatë kushtuar atij.
“Sot u shua një pjesë e zemrës sime… Sot humba babanë tim të shtrenjtë”, shkruan Ahmeti, teksa kujton rolin që i ati ka pasur gjatë gjithë jetës së saj.
Në dedikimin e saj, ajo e përshkruan babanë si një prej shtyllave më të forta të jetës, duke theksuar se në arritjet dhe rrugëtimin e saj gjenden mësimet, dashuria dhe sakrificat e tij.
“Shpresoj që çdo gjë që kam arritur në jetë të të ketë bërë krenar. Shpresoj që, edhe atje ku s’mund të të shoh më, të jesh duke më parë”, shkruan ajo.
Një pjesë veçanërisht personale e mesazhit i kushtohet edhe nënës së saj, e cila gjithashtu nuk jeton më. Mimoza i drejtohet të atit me fjalët: “Kur ta takosh nënën, përqafoje fort për mua. Thuaji se më ka munguar çdo ditë”.
“Tani jeni përsëri bashkë… Dhe unë mbetem këtu, me kujtimet tuaja, me mallin dhe me një dashuri që nuk do të shuhet kurrë”, vijon ajo.
Në fund, Mimoza i jep lamtumirën të atit duke shkruar: “U prehsh në paqe, babi im. Përqafoje nënën fort për mua… Ju dua sot, nesër dhe përtej çdo kohe. Përjetë vajza juaj.”
