SHOWBIZ / E Mërkurë 16 Shtator 2026, 16:04

“Deri në 7 dasma në vit”/ Bebe Rexha zbulon kujtimet nga fëmijëria: Në kulturën tonë, gjithçka ka të bëjë me muzikën

Këngëtarja shqiptare me famë ndërkombëtare, Bebe Rexha, ka rrëfyer disa prej kujtimeve më të veçanta nga fëmijëria e saj dhe ndikimin që kultura shqiptare dhe ajo ballkanike ka pasur në formimin e identitetit të saj artistik.

Në një intervistë për “Flaunt Magazine”, artistja është kthyer pas në kohë, duke kujtuar vizitat e saj në Maqedoni gjatë fëmijërisë, ku merrte pjesë në dasma shqiptare dhe ballkanike.

Rexha tregoi se festat ishin aq të shpeshta sa gjatë një viti mund të merrte pjesë edhe në shtatë dasma. Për më tepër, ato nuk ishin thjesht mbrëmje festive, por evente që mund të zgjasnin për disa ditë dhe vazhdonin deri në orët e para të mëngjesit.

Por ajo që i ka mbetur më fort në kujtesë është muzika dhe mënyra se si ajo shoqëronte çdo moment të këtyre festimeve.

“Në kulturën tonë, gjithçka ka të bëjë me muzikën. Ne gjithmonë kërcejmë dhe festojmë”, është shprehur këngëtarja.

Pikërisht kjo frymë e festës, bashkimit, kërcimit dhe muzikës duket se ka lënë gjurmë edhe në mënyrën se si Bebe Rexha e ndërton muzikën e saj sot.

Këngëtarja po eksploron anë të reja të identitetit të saj artistik përmes albumit të ri, “Dirty Blonde”, i cili shënon një tjetër kapitull në karrierën e saj.


Kujtimet nga fëmijëria dhe atmosfera e dasmave shqiptare e ballkanike, me muzikën dhe energjinë e tyre karakteristike, mbeten kështu një pjesë e rëndësishme e rrënjëve që Rexha vazhdon t'i mbajë të pranishme në krijimtarinë e saj.