LAJME / E Mërkurë 16 Shtator 2026, 16:04

Gani Geci reagon pas vendimit të Gjykatës Speciale – Ja çfarë thotë

Pas zhvillimeve të fundit në Hagë, Gani Geci ka reaguar publikisht përmes një mesazhi ku ka shprehur mirënjohje për një numër të madh të figurave dhe familjeve të lidhura me luftën e UÇK-së, si dhe për personat që, sipas tij, e kanë mbështetur në përballjen e tij me atë që e cilëson si “luftë speciale” ndaj tij dhe familjes së tij.

Në reagimin e tij, Geci ka falënderuar nga zemra Familjen Jashari, duke përmendur Bashkim Jasharin, i cili sipas tij ishte në Kosovë në atë periudhë.

Ai ka shprehur mirënjohje edhe për komandantin e Zonës së Drenicës, Sami Lushtakun, si dhe për Familjen Kodra, duke përmendur dëshmorin dhe komandantin Ilaz Kodrën, Zenun Kodrën dhe ushtarët e Prekazit.

Geci ka falënderuar gjithashtu Nuradin Lushtakun, Sylejman Selimin, i cili ka shërbyer si komandant i TMK-së dhe FSK-së, si dhe dajën e Adem Jasharit, Jetullah Gecin. Në listën e falënderimeve ai ka përfshirë edhe ushtarët e fshatit Llaushë.

Një pjesë të veçantë të reagimit Geci ia ka kushtuar Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, për të cilët ka thënë se në Hagë “e thanë të vërtetën”.

Ai ka falënderuar edhe Sahit Jasharin dhe vëllezërit e tij, ndërsa një falënderim të veçantë ia ka adresuar gazetarit Milaim Zeka për atë që Geci e përshkruan si kontribut në zbardhjen e Komunikatës nr. 59.

“Falënderoj të gjithë ushtarët e UÇK-së”, ka shkruar Geci.

Në reagimin e tij, ai ka falënderuar edhe miqtë dhe bashkëpunëtorët që, sipas tij, kanë besuar në të vërtetën dhe në të drejtën e një ushtari që “luftoi me zemër për lirinë e vendit të tij”.

Geci ka thënë se gjatë kësaj periudhe është përballur me atë që e cilëson si “luftë speciale” ndaj tij dhe familjes së tij.

Në fund të reagimit, ai ka falënderuar vëllezërit dhe familjen e tij, si dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Anglinë, Gjermaninë, Italinë dhe Finlandën.

Por, pjesa më e drejtpërdrejtë e reagimit të tij ka qenë kërkesa që ia ka bërë kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Geci i ka kërkuar Kurtit që të fshijë një shkrim të publikuar në Facebook më 9 tetor 2024 dhe, njëkohësisht, t’i kërkojë falje publike.

“Kërkoj nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, ta fshijë shkrimin e tij në Facebook të datës 09.10.2024 dhe të më kërkojë falje publike”, ka shkruar Gani Geci.