
Një ditë pas tensioneve të shkaktuara nga provokimet e fundit të ushtrisë serbe pranë kufirit me Kosovën, trupat paqeruajtëse të KFOR-it kanë zhvilluar një trajnim të përbashkët në kampin Camp Bondsteel, duke dërguar një mesazh të qartë për gatishmëri dhe stabilitet në rajon, raporton Gazeta Minuti.
Sipas një njoftimi zyrtar nga KFOR, në këtë trajnim kanë marrë pjesë ushtarë nga Gjermania, Zvicra dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Aktiviteti është përqendruar në testimin e aftësive operacionale në kushte të simuluara, me theks të veçantë në saktësinë e veprimeve, komunikimin efektiv dhe ruajtjen e qetësisë në situata të ndërlikuara.
“Trajnimi praktik testoi saktësinë, komunikimin dhe qetësinë në kushte të simuluara operacionale. Stërvitja rriti ndërveprueshmërinë dhe gatishmërinë, duke siguruar që njësitë të mbeten të përgatitura për të reaguar kur të kërkohet,” thuhet në njoftimin e KFOR-it.
Ky zhvillim vjen në një moment të ndjeshëm për sigurinë në rajon, vetëm një ditë pasi janë raportuar lëvizje dhe fluturime provokuese nga ana e ushtrisë serbe, të cilat kanë rritur shqetësimet për stabilitetin përgjatë vijës kufitare.
Përmes këtij trajnimi, KFOR ka theksuar rëndësinë e ruajtjes së gatishmërisë së lartë dhe koordinimit mes trupave ndërkombëtare, duke synuar reagim të shpejtë dhe efikas ndaj çdo situate të mundshme.
“Përmes këtyre aktiviteteve, personeli i KFOR-it ruan ndërgjegjësimin situativ, duke reflektuar përkushtimin e vazhdueshëm të KFOR-it për të garantuar një mjedis të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë”, përfundon njoftimi.
Prania dhe aktivitetet e shtuara të KFOR-it në terren vlerësohen si një element kyç për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit, sidomos në kohë kur tensionet në rajon shfaqin tendencë rritjeje, do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE
