LAJME / E Enjte 20 Gusht 2026, 21:09

Shqiptari i kapur me 2 milionë euro kokainë është muzikant i njohur

Media franceze ka publikuar detaje të reja për arrestimin e një violinisti profesionist me origjinë shqiptare, i cili dyshohet për trafikim të lëndëve narkotike.

Sipas “Nice-Matin”, bëhet fjalë për Beng Bakallin, 45 vjeç, i cili është arrestuar në La Turbie të Francës pasi në automjetin me të cilin po udhëtonte janë zbuluar 38.3 kilogramë kokainë.

Vlera e drogës në tregun ilegal vlerësohet në rreth 2 milionë euro.

45-vjeçari po udhëtonte drejt Italisë me një automjet Citroën C5 Aircross kur është ndaluar për kontroll nga autoritetet doganore franceze.

Gjatë kontrollit, doganierët kanë vërejtur diçka të pazakontë në pjesën e poshtme të automjetit.

Sipas medias franceze, dyshimet e tyre janë ngritur pasi kanë vërejtur një zgjatim të lehtë nën tapetin e dyshemesë në anën e pasagjerit.

Kontrolli më i detajuar ka çuar në zbulimin e dy ndarjeve të modifikuara dhe të fshehura në dyshemenë e automjetit.

Brenda tyre ndodheshin pakot me kokainë, me peshë totale prej 38.3 kilogramësh.

Rasti ka marrë vëmendje të konsiderueshme në Francë edhe për shkak të profilit profesional të të arrestuarit.

Bakalli përshkruhet nga media franceze si violinist profesionist dhe koncertist, pjesë e orkestrës simfonike Victor-Hugo Bourgogne Franche-Comté, me një karrierë të zhvilluar në botën e muzikës.

Megjithatë, pas arrestimit dhe zbulimit të drogës, hetuesit kanë kryer kontroll edhe në banesën e tij.

Gjatë bastisjes janë gjetur katër armë zjarri, dy pushkë, një jelek antiplumb, disa qindra fishekë dhe 88,900 euro para të gatshme.

Sipas raportimit, paratë ishin të paketuara në kartëmonedha prej 50 eurosh dhe të mbështjella në qese plastike.

I pyetur për armët, Bakalli ka deklaruar se është i regjistruar si qitës sportiv.

Autoritetet, megjithatë, kanë konstatuar se jo të gjitha armët e gjetura rezultonin të deklaruara.

Për shumën prej 88,900 eurosh, 45-vjeçari ka pretenduar se paratë ishin dhuratë nga babai i tij.

Prokuroria franceze ka shprehur dyshime ndaj shpjegimeve të dhëna prej tij, duke marrë parasysh jo vetëm sasinë e madhe të kokainës, por edhe mënyrën e sofistikuar të fshehjes së saj dhe sendet e gjetura gjatë kontrollit të banesës.

Vetë Bakalli raportohet se ka pranuar se transportin do ta kryente në këmbim të një pagese prej 20 mijë eurosh.

Ai ka deklaruar se ishte futur në këtë histori përmes disa personave që kishte njohur gjatë një udhëtimi në Shqipëri.

Sipas versionit të tij, automjeti Citroën C5 Aircross i ishte dhënë nga një garazhist spanjoll dhe ai ishte nisur drejt Italisë.

Bakalli ka mohuar se ishte kërcënuar apo detyruar për ta kryer transportin.

Ai gjithashtu ka pretenduar se nuk kishte njohuri të hollësishme për personat e tjerë që mund të ishin të përfshirë.

Prokuroria, megjithatë, ka ngritur pikëpyetje rreth mundësisë që një person pa përvojë të mëparshme në trafik droge të ngarkohej me një sasi kaq të madhe kokaine.

Pikërisht sasia prej 38.3 kilogramësh dhe ndarjet e posaçme të ndërtuara në automjet kanë bërë që autoritetet të dyshojnë për një mënyrë të organizuar dhe profesionale të veprimit.

Prokurorja ka kërkuar që Bakalli të mbahet në paraburgim deri në gjykimin e tij, duke argumentuar ndër të tjera edhe rrezikun e përsëritjes së veprës.

Mbrojtja, nga ana tjetër, ka vënë në pah integrimin e tij në shoqëri dhe karrierën e gjatë profesionale si muzikant.

Avokatja e tij ka kërkuar që gjykata të marrë parasysh profilin dhe jetën profesionale të 45-vjeçarit.

Gjykata ka vendosur që Bakalli të mbetet në paraburgim, ndërsa procesi gjyqësor ndaj tij pritet të zhvillohet në muajin tetor.

Sipas raportimit të medias franceze, nëse shpallet fajtor për akuzat me të cilat përballet, ai mund të dënohet deri në 10 vjet burg.

Para se gjykata të tërhiqej për të marrë vendimin, Bakalli raportohet të ketë reflektuar për pasojat e situatës në të cilën ndodhet.

“Nuk mund ta kuptoj madhësinë e asaj që kam bërë. E kuptoj që do të humbas gjithçka”, citohet të ketë deklaruar ai.

Hetimet pritet të vazhdojnë edhe për të përcaktuar origjinën dhe destinacionin e kokainës, personat e tjerë potencialisht të përfshirë dhe rrethanat në të cilat automjeti ishte modifikuar për fshehjen e drogës.

Deri në një vendim përfundimtar të gjykatës, Beng Bakalli konsiderohet i pafajshëm për akuzat penale që nuk janë provuar me vendim të formës së prerë, do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE