LAJME / E Martë 18 Mars 2025, 00:12

Rama njofton datën kur TikTok mbyllet plotësisht: 'Nuk është si fikje dritash'!

 

Tiranë, 17 mars 2025 – Aksesi në platformën TikTok do të hiqet përfundimisht brenda 2 javëve. Kryeministri Edi Rama ka bërë të ditur se mbyllja e plotë e aplikacionit në Shqipëri është e pashmangshme, duke shtuar se "nuk është si mbyllje dritash". Ai tha se “Brenda 10-15 ditësh normalisht do të jetë blackout”, duke konfirmuar se përdoruesit e TikTok do të kenë më shumë vështirësi për të aksesuar platformën në këtë periudhë.

Lajmërimi u bë gjatë një takimi me mësues të qarkut të Fierit, ku kryeministri komentoi gjithashtu protestën e opozitës, duke theksuar se ajo tregoi refuzimin e shqiptarëve me forcën që e organizoi. Rama theksoi se ky refuzim kërkon të tregohet me votë në zgjedhjet e 11 majit.

Mësuesit e pranishëm, të cilët kërkuan informacion mbi rritjen e pagave, morën garanci nga Rama se kjo çështje është pjesë e programit qeverisës për mandatin e katërt, program që do të prezantohet brenda pak ditësh. Kryeministri theksoi se socialistët kanë objektiva konkrete dhe reale, ndryshe nga premtimet e kundërshtarëve, përfshirë partitë e reja, të cilët, sipas tij, bëjnë premtime “sureale”.

Ai komentoi gjithashtu rreth mundësisë për të rritur pensionet, duke thënë: “Këta që s’kanë asgjë në dorë ta rrisin pensionin sy më sy. Jam i lumtur se jam vënë në kontakt me Lulin, se nuk shtyhet fushata pa Lulin. Parti me babin në listë mund ta bëjë gjithkush.”