LAJME / E Diel 21 Qershor 2026, 02:02

Rama, i frikësuar nga algoritmi, u jep urdhër të prerë deputetëve: Të jenë më aktivë

 

Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me grupin parlamentar të Partisë Socialiste, ku në fokus të diskutimeve ishin zhvillimet e fundit politike dhe mënyra e komunikimit të qeverisë me publikun.


Mesazhi kryesor: Duhet të jeni më aktivë në internet
Sipas burimeve, Rama ka theksuar se mazhoranca duhet të rrisë ndjeshëm praninë e saj në rrjetet sociale, duke u kërkuar ministrave dhe deputetëve të jenë më aktivë në promovimin e punës së qeverisë.

Ai shprehu se, sipas mendimit të tij, komunikimit institucional nuk po i kushtohet vëmendje e mjaftueshme në platformat online dhe se projektet dhe investimet duhet të shoqërohen me më shumë argumentim dhe prezantim publik.

Rama komentoi gjithashtu mënyrën se si shpërndahen disa video në rrjetet sociale, duke përmendur si shembull pamjet e një konvoji makinash të lidhura me diasporën, të cilat sipas tij shpesh interpretohen në mënyrë të ekzagjeruar për efektin e “viralitetit”.

 Debati brenda grupit parlamentar
Gjatë takimit, pati edhe diskutime të brendshme midis Kryeministrit dhe deputetit Erion Braçe, ku Rama shprehu rezerva për postimet e shpeshta që përqendrohen në çështje të ndryshme, ndërsa Braçe këmbënguli se denoncimi i tyre është i domosdoshëm derisa të zgjidhen.

Ndërkohë, diskutimi për aktivisten Marjana Koçeku nuk vazhdoi, pasi Rama ndërhyri, duke mos lejuar që tema të zgjerohej gjatë debatit të grupit parlamentar.

Protesta dhe “bota e algoritmeve”
Rama theksoi se, sipas tij, protesta ka krijuar një realitet të amplifikuar në hapësirën dixhitale, ku informacioni shpesh shpërndahet më shpejt sesa verifikimi i tij.

Ai tha se për rreth 20 ditë vendi ka qenë i përfshirë në një “vorbull dixhitale” shumë më të madhe se madhësia reale e Shqipërisë, duke shtuar se sot sheshi funksionon si një “studio” që prodhon materiale për rrjetet sociale.

Në këtë kontekst, Kryeministri ka kritikuar mënyrën se si, sipas tij, krijohen dhe përhapen narrativat në internet.

Ai përmendi gjithashtu çështjen e njohur si “Aruba”, duke thënë se është ricikluar në mediat sociale derisa është bërë një “e vërtetë e perceptuar”, pavarësisht mohimeve të tij.

Rama ka theksuar se ky është një shembull i qartë se si, sipas tij, algoritmet mund ta shtrembërojnë realitetin publik.

Narta dhe ndikimet e jashtme
Sipas Kryeministrit, vëmendja e madhe që i kushtohet Nartës dhe Zvërnecit nuk lidhet vetëm me çështjet mjedisore, por ndikohet edhe nga emra dhe figura ndërkombëtare që kanë rritur jehonën e saj në internet.

Ai ka folur gjithashtu për “mercenarë dixhitalë” dhe ndikime të huaja në narrativat online, duke pretenduar se disa prej tyre madje sponsorizohen nga shtete të caktuara.

Mesazh për socialistët
Gjatë pjesës së brendshme të takimit, Rama iu drejtua edhe deputetëve të PS-së, duke thënë se brenda familjes socialiste ka individë që janë të tronditur nga këto zhvillime ose që e shohin projektin evropian me skepticizëm.

Ai theksoi se Shqipëria nuk është një “hashtag”, por një projekt i madh politik dhe historik.

Diaspora zbarkon në Tiranë
Tirana po përgatitet për një protestë që pritet të mbledhë një numër të konsiderueshëm qytetarësh, përfshirë edhe emigrantë nga diaspora që kanë mbërritur sot në vend.

Organizatorët dhe mbështetësit e saj flasin për një pjesëmarrje të lartë, ndërsa në kryeqytet është vënë re lëvizje e shtuar e qytetarëve që vijnë nga qytete të ndryshme të vendit dhe jashtë vendit.

Në rrjetet sociale dhe në deklaratat e shpërndara nga grupe të ndryshme, është theksuar se kjo protestë synon të ketë një jehonë të madhe publike, ndërsa pjesëmarrja e diasporës po shihet si një element që i jep asaj më shumë peshë simbolike dhe organizative./©Boldnews, do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE